
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi të mërkurën Berlinin për të marrë pjesë në një takim virtual të organizuar nga Gjermania me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderët evropianë, dy ditë para se Trump të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë.
Ky do të jetë samiti i parë SHBA-Rusi që nga viti 2021, dhe vendet evropiane po përpiqen të theksojnë rreziqet e çdo marrëveshjeje që do të dëmtonte interesat e Kievit.
Javën e kaluar, Trump shkaktoi shqetësim në Ukrainë dhe Evropë kur tha se çdo marrëveshje paqeje mund të përfshinte “disa shkëmbime territoresh”.
Zelensky u prit nga kancelari gjerman Friedrich Merz përpara se të zhvillonte bisedime dypalëshe, raporton Reuters.
Më pas, ai dhe Merz iu bashkuan një videokonference me liderët e Finlandës, Francës, Britanisë, Italisë, Polonisë dhe Bashkimit Evropian, ku mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance u lidhën në takim një orë më vonë.
“Do të flas së shpejti me liderët evropianë. Ata janë njerëz të mrekullueshëm që duan të shohin një marrëveshje të arritur”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social.
Frika për një marrëveshje të pafavorshme në Alaskë
Diplomatët evropianë dhe Kievi shqetësohen se SHBA dhe Rusia mund të marrin vendime të rëndësishme pa pjesëmarrjen e Ukrainës, madje duke e detyruar atë të pranojë kushte të pafavorshme.
Një zyrtar i lartë nga Europa Lindore tha se po punohet për të siguruar që kjo të mos ndodhë, duke mbajtur koordinim të ngushtë me partnerët amerikanë dhe unitet mes vendeve të BE-së.
Administrata Trump ka ulur pritshmëritë për samitin, duke e përshkruar si një “ushtrim dëgjimi” për të kuptuar se çfarë do të nevojitej për të arritur një marrëveshje.
Vendimi për të pranuar takimin me Putinin erdhi papritur, pasi për javë të tëra Trump kishte kritikuar Moskën për mospranimin e iniciativës amerikane për paqe.
Pas bisedimeve me Trump, pritet që “koalicioni i të gatshmëve” – një grup vendesh që po harton plane për mbështetjen e Ukrainës në rast të një armëpushimi – të zhvillojë gjithashtu një takim online.
Presioni në fushën e betejës
Një sondazh i Gallup javën e kaluar tregoi se 69% e ukrainasve mbështesin një përfundim të negociuar të luftës sa më shpejt, por jo me çdo kusht. Zelensky ka theksuar se nuk mund të pranojë një marrëveshje që kërkon tërheqjen e trupave ukrainase nga rajoni lindor i Donbasit, pasi kjo do ta linte vendin pa një linjë të rëndësishme mbrojtjeje dhe do t’i hapte rrugë një avancimi të ardhshëm rus.
Ai ka thënë se çështjet territoriale mund të diskutohen vetëm pasi të jetë vendosur armëpushimi dhe Ukraina të ketë marrë garanci sigurie.
Nga ana e saj, Moska ka përsëritur kërkesat e paraqitura nga Putin në qershor 2024: tërheqjen e trupave ukrainase nga katër rajone që Rusia pretendon, por nuk i kontrollon tërësisht, si dhe heqjen dorë nga planet për t’u anëtarësuar në NATO.
Kievi i ka cilësuar këto kushte si të barasvlershme me dorëzimin.