
Nga Irena Beqiraj
Nje debat interesant është zhvilluar pak kohë me parë mbi faktin a kemi një diktaturë liberale në Shqipëri ?!
Une do ta quaja, “diktaturë të heshtur” .
Në diktaturat e heshtura nuk ka luftë, as grusht shteti ,as revolucion. Ka zgjedhje, ka parti, ka gjykata, ka media, për çfarëdo ndodh në përditshmërinë e vendit ka debat në media e rrjete sociale , ka edhe mendime ndryshe .
Në diktaturat e heshtura ssgjë nuk duket e gabuar apo jo normale në sipërfaqe.
Ama, nën sipërfaqjen tërësisht normale, diktatura në emër të sundimit të ligjit, instalon sundimin me ligj .
A kemi kërkuar gjithmonë sundimin e ligjit ? Atëherë ligji po përdoret për për e na sunduar!
Nëpërmjet kësaj strategjie, regjimi konsolidon pushtetin e tij edhe pretendon para zgjedhësve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë se ndryshimet ligjore janë te nevojshme për demokracinë edhe zhvillimin edhe u janë nënshtruar proçeseve të duhura të konsultimit publik edhe transparencës.
Fuqia për të përqendruar burimet, si përdorimi i tokës apo të drejtave të tjera në pak duar, bëhet me ligj . Me ligjet e investimeve strategjike , qerave 1 euro, apo ligjeve me emra të veçantë u vra liria e tregut edhe konkurenca, kështu në vend të tregut lirë u formëzohua oligarkia civile.
Ndaj në ekonominë që kemi sot nga një anë kemi një grusht investitorësh strategjikë ofrojnë resortet , universitetet , shërbimin financiar , tregetinë hidrokarbure, transportin ndërkombëtar kullat e larta edhe nga ana tjetër qindra mijëra dyqanxhinj që ofrojnë shërbime me produktivitet të ulët te cilët për sigurimin e mbijetesës shkelin ligjin duke zënë me tavolina e tenda hapësirat publike.
Po me ligje preferenciale edhe mbi favoret ekonomike të marra nga pushteti lulëzuan “mediat e lira” , të cilat të zëna ngushtë në grackën ekonomike të pushtetit bëhen pa turp pro regjimit.
Pra me ligj ngushtohet hapësirat e lirisë së fjalës edhe lirisë ekonomike në atë mënyrë që vetëm grupet pro-qeveritare ose ato me synime të lidhura me qeverinë të jenë të vetmet që mund të lulëzojnë.
Me ligj taksohet më shumë shtresa e mesme, me ligj profesori paguan taksa me shumë se oligarku qe ka universitetin , me ligj edhe po në emër të ligjit lirohen trotuaret nga tavolinat e bizneseve të vogla , edhe po me ligj na kufizohet fryma ne qytetet betonit.
Dikur në emër të popullit , sot me lig edhe në emër të ligjit është vendosur te ketë pak ose aspak liri për njerëzit te cilët zhfrytezojnë te vetmen liri që u ka mbetur atë të braktisjes së vendin.
E fatkeqësisht as BE-ja, e cila na serviret si testi I fundit I sundimit të ligjit edhe demokracisë nuk është imune nga pandemia e sundimit me anë të ligjit .
Pikërisht mu brenda BE-se ndodhen përkatësisht Polonia edhe Hungaria te cilat listohen në diktaturat më të heshtura në botë.
Pa një sy të kujdesshëm, sundimi me anë të ligjit duket si demokraci , por është pikërisht loja me ligjin e cila konsolidon ne mënyrë të plotë regjimin edhe pasi regjimi konsolidohet ateherë është shumë e vështirë për t’u thyer, aq më pak me zgjedhje.
Diktaturë liberale apo e heshtur pak rëndësi ka emri! Pyetja që shtrohet është : A është përshembull edhe Kodi i Ri Penal një rast tjetër sesi me ligj kufizohet liria e fjalës, liria e zotërimin te pronës ne mënyrë që regjimi të konsolidojë sundimin tij?!
Nëse përgjigja për shumë nga ne është: PO! fatkeqësisht as BE e as opozita nuk janë siguresa të mjaftueshme për konsolidimin përfundimtar të regjimit.
Në këto kushte a do ta quajmë diktaturë liberale apo e heshtur pak rëndësi ka !
Nëse me ligj ne privohemi nga liria, edhe nuk kujdesemi ne kohë që kjo të mos ndodhë, thjesht nuk e meritojmë lirinë !