Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu: Kur Irani të jetë i lirë, Izraeli do të ndihmojë në zgjidhjen e mungesës së ujit



Në një mesazh video të publikuar të martën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i drejtohet popullit të Iranit, duke premtuar se Izraeli do të ndihmojë në zgjidhjen e krizës së thellë të ujit në vend sapo Irani të çlirohet nga regjimi aktual, përcjell Jerusalem Post.

“Përshëndetje nga Jeruzalemi, për popullin krenar të Iranit,” nis Netanyahu. “Udhëheqësit tuaj na detyruan në Luftën 12-ditore dhe humbën rëndë. Ata gënjejnë me dhëmbë, por herë pas here thonë të vërtetën.”

Netanyahu citoi deklaratën e presidentit iranian Masoud Pezeshkian, i cili pranoi problemet e thella kombëtare, përfshirë mungesën e ujit: “Ne kemi probleme me ujin, energjinë, paratë dhe inflacionin – ku nuk kemi problem? Nuk do të ketë ujë në digat në shtator apo tetor.” Kryeministri theksoi se “ai ka të drejtë. Gjithçka po shembet.”

Ai përmendi arritjet e Izraelit në menaxhimin e ujit, duke theksuar se Izraeli riciklon 90% të ujërave të zeza – shifra më e lartë në botë – dhe është udhëheqës në teknologjinë e desalinimit.

“Në këtë vapë të tmerrshme verore, ju nuk keni as ujë të pastër e të ftohtë për t’ua dhënë fëmijëve tuaj,” tha Netanyahu. “Një hipokrizi e tillë. Një përbuzje e tillë ndaj popullit iranian.”

Kryeministri kujtoi se para gati një dekade nisi një kanal në Telegram në gjuhën Farsi për menaxhimin e ujit, i cili fitoi shpejt 100,000 ndjekës. “Etja për ujë në Iran është e barabartë vetëm me etjen për liri,” tha ai.

Netanyahu premtoi se “çastin që vendi juaj të jetë i lirë, ekspertët më të mirë izraelitë të ujit do të vërshojnë në çdo qytet iranian me teknologji të avancuar dhe njohuri.” Ai përshkroi me detaje liqene të rikthyer, lumenj që rrjedhin dhe parqe të rilindura. “Imagjinoni të bëni ski uji përsëri në digën Karaj… Imagjinoni rikthimin e liqenit të dikurshëm të mrekullueshëm Urmia në veri-perëndim të Iranit.”

Ai akuzoi udhëheqësit iranianë për “tiraninë dhe varfërinë” që u kanë imponuar qytetarëve, duke shpenzuar qindra miliarda dollarë për Hamasin, Hezbollahun dhe Houthit në vend të investimeve për nevojat e brendshme. “Ju nuk meritoni udhëheqës që ikin nga vendi ndërsa ju vuani vetëm gjatë një lufte të vështirë,” tha Netanyahu.

Duke i bërë thirrje iranianëve që “të dalin në rrugë” dhe “të protestojnë kundër tiranisë,” ai i inkurajoi të kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie. “Mos lejoni që këta mullaxhinj fanatikë t’ju shkatërrojnë jetën për asnjë minutë më shumë,” tha ai. “Ju nuk jeni vetëm. Izraeli është me ju. E gjithë bota e lirë është me ju.”

Netanyahu përfundoi duke rikujtuar fjalën e famshme të Theodor Herzl: “Nëse e do ti, nuk është ëndërr.” Ai e aplikoi këtë për Iranin, duke thënë: “Nëse e do ti, një Iran i lirë nuk është ëndërr. Tani është koha për veprim. Tani është koha për të luftuar për lirinë.”