
Armenia dhe Azerbajxhani kanë nënshkruar të premten në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje historike kornizë që synon t’i japë fund dekadave të konfliktit të përgjakshëm mes dy vendeve. Ceremonia u zhvillua nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili e cilësoi arritjen si një sukses të madh diplomatik, përcjell YNetNews.
Plani, i quajtur “Trump Route for International Peace and Prosperity” (TRIPP), parashikon krijimin e një korridori strategjik transporti prej 32 kilometrash në jug të Armenisë, që do të lidhë Azerbajxhanin me eksklavën e tij Nakhçivan dhe më pas me Turqinë. Korridori do të mbetet nën juridiksionin armen, por zhvillimi i tij do të menaxhohet nga një konsorcium i autorizuar nga SHBA për ndërtimin e hekurudhës dhe gazsjellësve.
Trump deklaroi se “shumë liderë kanë provuar të ndalin luftën, por kanë dështuar, deri tani, falë ‘TRUMP’”. Ai e quajti ditën e nënshkrimit “historike për Armeninë, Azerbajxhanin, Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën”.
Marrëveshja pritet të hapë rrugën për rritjen e tregtisë në Kaukazin e Jugut dhe të forcojë lidhjet ekonomike mes vendeve, duke përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve mes Armenisë dhe Turqisë.
Nga ana tjetër, Irani ka kundërshtuar ashpër projektin, duke paralajmëruar se prania e huaj pranë kufijve të tij “mund të minojë sigurinë rajonale”. Analistët vlerësojnë se pavarësisht retorikës, Teherani nuk ka kapacitet ushtarak për ta ndaluar zbatimin e marrëveshjes.
Rusia, tradicionalisht aleate e Armenisë, ishte e pranishme vetëm me deklarata mbështetëse, ndërsa ndikimi i saj në rajon shihet i zbehur për shkak të fokusit te lufta në Ukrainë dhe mungesës së reagimit kur Azerbajxhani rimori Nagorni-Karabakun në vitin 2023.