Vendosni fjalën kyçe....

Protesta në Izrael kundër pushtimit të Gazës, familjarët e pengjeve kërkojnë marrëveshje


Qindra protestues, përfshirë familjarë të pengjeve të mbajtura në Gaza dhe ish-pengje të liruar, u mblodhën mbrëmjen e së enjtes përpara zyrës së Kryeministrit në Jerusalem, ndërsa kabineti i sigurisë i Izraelit u mblodh për të vendosur nëse do të autorizojë një pushtim të plotë ushtarak të Rripit të Gazës, përcjell YNetNews.

Takimi i kabinetit, i përshkruar nga zyrtarët si vendimtar, zhvillohet mes presioneve në rritje nga familjet e pengjeve dhe përçarjeve të thella brenda udhëheqjes politike dhe ushtarake për fazën e ardhshme të luftës. Protestuesit u mblodhën në “Sheshin e Bashkimit” në kryeqytet, duke kërkuar nga qeveria të negociojë një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve dhe për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare.

Disa nga protestuesit ndezën goma para selisë së partisë Likud në Tel Aviv, duke denoncuar qëndrimin e qeverisë. “Presioni ushtarak po i vret pengjet,” thirrën ata. Anat Angrest, nëna e një pengu, deklaroi mes lotësh: “Jam thjesht një nënë që lutet që djali im të mos flijohet. Ai po torturohet dhe po lëngon, ndërsa qeveria ka vendosur ta braktisë.”

Ish-pengu Ilana Gritzewsky, e liruar nga Hamasi, akuzoi qeverinë për tradhti. “Unë jam provë se marrëveshjet funksionojnë. Kryeministri premtoi se do t’i kthente të gjithë në shtëpi. Tani kërkon pushtim të plotë, duke e ditur se kjo do t’i vrasë.”

Në Jeruzalem, Lishay Miran-Lavi, bashkëshortja e një pengu tjetër, paralajmëroi: “Vendimi që do të marrin sonte mund të jetë dënim me vdekje për të dashurit tanë.”

Protesta u mbajtën gjithashtu në Ra’anana dhe qytete të tjera të Izraelit, ku familjarët e pengjeve u zinxhiruan simbolikisht për të shprehur protestën e tyre.

Brenda kabinetit, ka ndarje të thella: ministrat e ekstremit të djathtë, si Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir, mbështesin pushtimin e plotë të Gazës, ndërsa të tjerë, përfshirë shefin e shtabit të IDF Eyal Zamir, paralajmërojnë se një hap i tillë do të rrezikonte jetën e pengjeve dhe do ta përfshinte Izraelin në një konflikt të zgjatur.

Zamir rekomandon një operacion më të kufizuar: rrethim i qytetit të Gazës dhe kampeve qendrore të refugjatëve, operacione komando dhe hapësirë për negociata. “Nuk po merremi me teori. Janë çështje jete a vdekjeje,” deklaroi ai para takimit.

Kryeministri Netanyahu, në një intervistë për FOX News, tha se Izraeli nuk synon të aneksojë Gazën apo të vendosë një regjim ushtarak afatgjatë, por synon “shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve”.