Vendosni fjalën kyçe....

Albpetrol nxjerr në ankand 100 mijë tonë naftë bruto


Kompania shtetërore “Albpetrol” sha ka shpallur ankandin e hapur për shitjen e 100,971 tonëve naftë bruto. Sipas njoftimit, ankandi do të mbahet më 8 gusht 2025, ora 11:00, në ambientet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Procesi i shitjes do të kryhet përmes formulës së miratuar, ku çmimi minimal për njësi është 77.45% i çmimit ndërkombëtar Brent + K, ndërsa në pikat e lëvrimit çmimi llogaritet 77.45% e çmimit Brent – 4.04 USD/bbl + K, duke mbuluar kostot e transportit dhe magazinimit.

Diferenca “K” mbetet ofertë e lirë nga pjesëmarrësit dhe do të përcaktojë fituesin e ankandit. Nafta që do të dalë në treg ndodhet në disa pika magazinimi të Albpetrol, përfshirë Usojë, Visokë, Gorisht, Zharrëz, Kuçovë dhe Amonicë, ndërsa afati i evadimit është 12 muaj nga nisja e procedurës.

Për herë të fundit, Albpetrol zhvilloi një ankand të ngjashëm vitin e kaluar, kur arriti të siguronte një ofertë të suksesshme për shitjen e 159 mijë tonëve naftë bruto me vlerë rreth 70 milionë euro.

Në atë ankand, oferta fituese u dha nga bashkimi i operatorëve “Europetrol Durrës Albania” dhe “R.B.H. Belinë” sha. Albpetrol prodhoi në vitin 2024 mbi 70 mijë tonë naftë, me një rritje modeste prej 1.8% në raport me vitin paraardhës. Aktualisht, kompania ka pesë vendburime kryesore të naftës:

Kuçovë: Rreth 950 puse në punë, me prodhim prej 15.9 mijë tonësh në vitin 2024.

Patos: Nga 888 puse në inventar, vetëm 22 janë aktive. Prodhimi në vitin 2024 ishte 4,147 tonë.

Cakran – Mollaj: 63 puse në total, 32 aktive, me prodhim prej 14 mijë tonësh gjatë vitit 2024.

Gorisht – Kocul: 284 puse në total, 142 aktive, me prodhim prej mbi 32.4 mijë tonësh në vitin 2024.

Amonicë: 59 puse në inventar, 23 aktive, me prodhim prej 3,218 tonësh në vitin 2024.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.