
Ish-presidenti i Rumanisë, Ion Iliescu, një nga figurat më të rëndësishme por edhe më të diskutueshme të historisë moderne të vendit, ndërroi jetë më 5 gusht në Bukuresht, në moshën 95-vjeçare, përcjell REL.
Iliescu ishte shtruar në spital që prej 9 qershorit, ku u diagnostikua me kancer në mushkëri. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e bëri publik Qeveria rumune përmes një deklarate zyrtare, ku shprehej “keqardhje e thellë” dhe ngushëllime për familjen dhe të afërmit.
Iliescu luajti rol qendror në përmbysjen e regjimit të Nicolae Ceaușescut në dhjetor 1989, duke dalë në krye të Frontit të Shpëtimit Kombëtar, që mori kontrollin e vendit pas rrëzimit dhe ekzekutimit të çiftit Ceaușescu. Megjithëse kishte qenë pjesë e sistemit komunist, ai u pozicionua si kundërshtar i diktaturës në vitet ’70.
Në maj të vitit 1990, Iliescu u zgjodh presidenti i parë i Rumanisë pas rënies së komunizmit dhe qëndroi në këtë post deri në vitin 1996, për t’u rikthyer sërish në vitin 2000, ku shërbeu deri më 2004.
Mandati i tij i parë u njollos nga episodet e dhunshme gjatë tranzicionit të pushtetit, ku humbën jetën 862 persona. Një nga momentet më të kritikuara mbetet mobilizimi i minatorëve për të shtypur me dhunë protestat në qershor 1990, një veprim që shumë e panë si përpjekje për të konsoliduar pushtetin.
Në vitin 2018, Iliescu u akuzua zyrtarisht për krime kundër njerëzimit lidhur me rolin e tij në ato ngjarje. Procesi u shty disa herë, por në vitin 2023, Gjykata e Apelit vendosi që çështja të vazhdojë.
Pavarësisht kritikave, Iliescu ka meritën e udhëheqjes së Rumanisë drejt integrimit euroatlantik. Në mandatin e tij të dytë, vendi nënshkroi traktatin e anëtarësimit në NATO dhe u bë pjesë e aleancës në 2004. Ai gjithashtu kontribuoi në përgatitjet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, që u finalizua disa vite më vonë.
Qeveria rumune njoftoi se më 7 gusht do të mbahet një ditë zie kombëtare, ndërsa hollësitë për ceremoninë shtetërore të varrimit pritet të bëhen publike në ditët në vijim.