Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon me 25% tarifa ndaj Indisë nëse vazhdon importin e naftës ruse


Donald Trump deklaroi të hënën se do të rrisë ndjeshëm tarifat tregtare ndaj Indisë, duke e akuzuar për përfitime nga tregtimi i naftës ruse.

Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump shkroi: “India jo vetëm që po blen sasi të mëdha nafte nga Rusia, por më pas e shet atë në tregun e hapur për përfitime të mëdha.” Ai shtoi se për këtë arsye do të vendosë tarifa më të larta ndaj Indisë.

Nga ana tjetër, autoritetet indiane reaguan duke kundërshtuar akuzat dhe theksuan se India po trajtohet në mënyrë të padrejtë nga SHBA dhe Bashkimi Evropian për importet e saj të naftës nga Rusia, përcjell CNN.

Javën e kaluar, Donald Trump kërcënoi se do të vendosë një tarifë minimale prej 25% për mallrat që vijnë nga India.

Masa pritet të hyjë në fuqi në fund të kësaj jave. Aktualisht, mallrat indiane i nënshtrohen një tarife prej 10%. 

Në reagim, Ministria e Jashtme indiane deklaroi se vendi nisi të importojë naftë nga Rusia pasi furnizuesit tradicionalë e devijuan tregun drejt Evropës pas nisjes së luftës në Ukrainë. “Importet tona synojnë të garantojnë çmime të qëndrueshme dhe të përballueshme për energjinë që u ofrohet konsumatorëve indianë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të ministrisë, Randhir Jaiswal.