
Të paktën dhjetëra palestinezë u vranë ose u plagosën të hënën në Rripin e Gazës, teksa turma njerëzish të dëshpëruar u drejtuan me ngut drejt pikave të shpërndarjes së ndihmave dhe pakove ushqimore të hedhura nga ajri. Lajmi u konfirmua nga dëshmitarë okularë dhe burime nga autoritetet lokale shëndetësore.
Për shkak të bllokadës dhe ofensivës ushtarake izraelite, shpërndarja e ndihmave humanitare është bërë thuajse e pamundur, duke e çuar popullsinë në prag të urisë. Janë gati 22 muaj që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit, dhe përkundër disa masave të fundit nga Izraeli për të lejuar ndihma shtesë, organizatat humanitare thonë se ato janë ende të pamjaftueshme.
Familjarë të pengjeve që ndodhen në Gaza shprehin shqetësimin se edhe ata mund të preken nga uria, por nga ana tjetër fajësojnë Hamasin për situatën.

Sipas zyrtarëve të shëndetësisë dhe OKB-së, qindra palestinezë janë vrarë që nga muaji maj ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma pranë pikave të shpërndarjes ose konvojeve humanitare. Izraeli nga ana tjetër pretendon se ka qëlluar vetëm në ajër si paralajmërim dhe hedh poshtë numrin e viktimave të raportuara.
Hedhja ajrore e ndihmave në Gaza po rezulton e rrezikshme dhe e kufizuar, ndërsa rritet presioni ndërkombëtar për të ndihmuar civilët në krizë. Disa vende kanë nisur pako ushqimore nga ajri, por sipas OKB-së dhe organizatave humanitare, kjo metodë është e kushtueshme, joefikase dhe e rrezikshme për popullsinë.
Shumë nga pakot kanë përfunduar në Detin Mesdhe ose në zona të ndaluara, ku ushtria izraelite ka urdhëruar evakuim, duke i detyruar palestinezët të rrezikojnë jetën për të marrë miell apo ushqime bazë, shkruan AP.
Të hënën, qindra banorë në Zuweida, në Gazën qendrore, u dyndën me shpresën për të siguruar ndihma teksa pakot u hodhën me parashutë. Pamjet treguan kaos, përplasje dhe përleshje, ndërsa njerëzit vraponin drejt ndihmave. Disa përdorën edhe shkopinj për të hapur rrugën mes turmës.
“Do të ishte më humane që ndihmat të dorëzoheshin përmes rrugëve tokësore”, tha një banor i zonës, Rabah Rabah. “Kjo që po ndodh është çnjerëzore.”
Në një rast, një pako ra mbi një tendë ku strehoheshin të zhvendosur, duke plagosur një burrë që u dërgua në spital.
