
Kosova është bërë zyrtarisht vendi i 43-të që i bashkohet Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale dhe Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), një platformë prestigjioze që synon përmirësimin e arsimit profesional dhe fuqizimin e lidhjes me tregun e punës në gjithë Evropën.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) e cilësoi këtë anëtarësim si një arritje të rëndësishme për vendin, që pasqyron përkushtimin për ndërtimin e një sistemi arsimor më të përshtatshëm për nevojat reale të tregut.
Ky anëtarësim parashikon disa objektiva kyçe:
Zgjerimin e arsimit dual në bashkëpunim me sektorin privat;
Përfshirjen e të rriturve në aftësim dhe riaftësim përmes arsimit profesional;
Krijimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive;
Përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale.
Përmes EAfA-së, Kosova do të ketë mundësi të krijojë partneritete me kompani, institucione arsimore dhe organizata rinore në Evropë, duke përfshirë edhe organizatat vendore si odat ekonomike dhe shoqatat sektoriale.
Platforma e EAfA-së mbështet praktika cilësore dhe efektive, sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe promovon pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në proceset vendimmarrëse.
“Anëtarësimi i Kosovës në EAfA pritet të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit profesional, duke e forcuar pozitën e vendit si një partner serioz që synon cilësinë dhe integrimin në standardet evropiane të arsimit dhe punësimit”, thuhet në njoftim.