
Familjet e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi shprehën shqetësim të thellë të dielën pas publikimit të videove të reja që tregojnë të burgosurin Evyatar David , duke u bërë thirrje udhëheqësve izraelitë dhe ndërkombëtarë të intensifikojnë përpjekjet për të siguruar lirimin e të dashurve të tyre.
Kobi Ohel, babai i pengut izraelit Alon Ohel, tha për Ynetnews se pamjet e reja filmike nga Gaza risollën kujtime të dhimbshme nga lirimi i pengjeve të mëparshme në janar.
“Ky është një rikthim në të kaluarën, në atë që ndjemë atëherë me Eli Sharabi, Or Levy dhe Eliya Cohen,” u shpreh ai. “Është si një grusht në fytyrë. Kanë kaluar pesë muaj imagjinoni gjendjen e Alonit tani. Ndoshta është edhe më keq.”
Kobi Ohel, babai i pengut Alon Ohel, iu drejtua me një apel të fortë kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump në rajon, Steve Witkoff, duke kërkuar veprime të menjëhershme për shpëtimin e djalit të tij.
“Bëni gjithçka për të rikthyer delegacionet në tryezën e negociatave dhe për të arritur një marrëveshje për të shpëtuar Alonin dhe të tjerët”, tha ai. “Dua vetëm një gjë: ta shoh Alonin personalisht, ta përqafoj. Ai është gjallë, po mbijeton. Kjo duhet të ndodhë sot.”
Ai kritikoi gjithashtu atë që e quajti standard të dyfishtë në përpjekjet për ndihmë humanitare. “Dëgjojmë thirrje për të dërguar ndihmë në Gaza, por jo thirrje për t’u ofruar ndihmë mjekësore pengjeve tona”, tha Ohel. “Kjo është një thirrje për të shpëtuar jetë.”