Vendosni fjalën kyçe....

U përfshi në konflikt fizik, AMP arreston një efektiv policie në Dibër


Një punonjës policie në Dibër është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi u përfshi në një konflikt fizik me një qytetar, teksa ishte në krye të detyrës.

Ngjarja ndodhi më 2 korrik, në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë. Efektivi, me detyrë në Seksionin e Hetimit dhe Kontrollit të Territorit në Policinë Kufitare të Dibrës, dyshohet për “shpërdorim detyre” dhe “veprime arbitrare”.

Sipas AMP, ka prova që tregojnë se ai ka ushtruar dhunë ndaj një qytetari nga Dibra.

Njoftimi i plotë:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë V. A., me detyrë N/Specialist në Seksionin e Hetimit dhe Zbatimit të Masava Plotësuese e Kontrollit të Territorit në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”.

Arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga veprimet e para hetimore, janë krijuar dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova e fakte, se punonjësi i policisë me datë 02.07.2025 rreth orës 01.30 në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, Dibër, gjatë kryerjes së detyrës është konfliktuar fizikisht duke kryer dhe veprime arbitrare në dëm të shtetasit F. K., banues në Dibër.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Dibër.