Vendosni fjalën kyçe....

Rama akuzon një tjetër gjyqtar pas prokurores Gjeli: Po mbajnë gjallë forcën e Antiligjit



Kryeministri Edi Rama ka lëshuar sërish akuza ndaj sistemit të drejtësisë, duke vënë në shënjestër kësaj here gjyqtarin Balliu, i cili sipas tij ka vendosur rikthimin e një pallati pa leje në favor të ndërtuesve të paligjshëm.

Në një reagim të gjatë në Facebook, kreu i qeverisë shkruan se godina në fjalë, e konfiskuar më parë nga shteti dhe e vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, është konsideruar nga gjyqtari si pronë legjitime e ndërtuesve të paligjshëm, përmes një vendimi për masë sigurie.

“Pas prokurores Gjeli, e cila e konsideroi krimin e ndërtimit të një fshati të tërë turistik pa leje në zemër të Thethit si një zhvillim të natyrës… dje u shfaq në të njëjtën llogore gjykatësi Balliu”, shkruan Rama, duke akuzuar të dy se po veprojnë kundër interesave të Republikës.

Rama ngre pikëpyetje mbi reagimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë, të cilat sipas tij nuk po mbajnë qëndrim përballë vendimeve të tilla: “Ku janë institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit e të kontrollit të këtyre shpërdoruesve të pavarësisë së drejtësisë?”

Ai shprehet se qytetarët kërkojnë llogari nga qeveria për qëndrimet e këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve, ndërkohë që vetë ekzekutivi nuk ka asnjë mekanizëm për të ndikuar te drejtësia e pavarur.

Në fund të reagimit, Rama thekson se mandati i dhënë nga qytetarët për qeverisjen deri në vitin 2030 nuk do të përdoret për të “ngritur duart lart” ndaj padrejtësive: “Drejtësia vonon, por nuk harron, thotë populli. Për të gjithë.”