Vendosni fjalën kyçe....

Kodi i Ri – Rama shigjeton Dumanin dhe Çelën për qëndrimet publike


Shoqatat e gazetarëve kanë shprehur shqetësime për lirinë e shtypit dhe kanë kërkuar ndërhyrje urgjente në draftin e Kodit të Ri Penal. Në përgjigje, Kryeministri Edi Rama theksoi se drafti është punë e një grupi të pavarur ekspertësh dhe qeveria nuk ka ndikim direkt në hartimin e tij.

Rama ka shigjetuar  Dumanin dhe Çelën për qëndrimet e tyre publike lidhur me draftin e Kodit të Ri Penal. Në një postim ne X, Rama u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara, veçanërisht atyre brenda sistemit, që në vend të deklaratave të nxituara dhe “qesharake” për media, të ulen dhe të diskutojnë drejtpërdrejt me grupin e ekspertëve për të ballafaquar opinionet e tyre.

Rama u shpreh se procesi është demokratik dhe transparent, duke ftuar të gjitha palët e interesuara të diskutojnë me grupin e ekspertëve për të sjellë kontributet e tyre. Ai shtoi se Ministria e Drejtësisë do të konsultojë draftin e rishikuar edhe me Komisionin Europian para se të dërgohet në parlament.

Kryeministri përfundoi duke siguruar gazetarët se Kodi i Ri Penal nuk do të kërcënojë lirinë e shtypit.

Ndërkaq, kujtojmë se ditën e djeshme kreu i SPAK, Altin Dumani, kritikoi draftin e Kodit të Ri Penal, duke theksuar nevojën për ndryshime dhe mungesën e përfshirjes së SPAK në hartimin e tij. Ai tha se do të japë qëndrim pasi ta analizojë draftin në detaje.

Ndërkohë edhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela u shpreh gjithashtu kritik ndaj draftit, duke vënë në dukje mungesën e konsultimit me institucionin e tij dhe rrezikun që ky projekt mund të krijojë konfuzion dhe të dëmtojë funksionimin e sistemit të drejtësisë penale. 

Postimi:

Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të Ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëhehjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit.

Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara – sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.

Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush.

Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament!

Kështu që miq të shoqatave të shtypit rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS.