
Mjanmari ka njoftuar formimin e një qeverie të përkohshme të udhëhequr nga civilë, përpara zgjedhjeve të planifikuara për fundin e vitit, por lideri i grushtit të shtetit, gjenerali Min Aung Hlaing, ruan kontrollin kryesor mbi pushtetin si president i përkohshëm dhe komandant i forcave të armatosura, përcjell Reuters.
Sipas mediave shtetërore, dekreti që i kishte dhënë pushtet të plotë ushtrisë pas grushtit të shtetit të vitit 2021 është shfuqizuar, ndërsa është formuar një administratë kujdestare dhe një komision i posaçëm për të mbikëqyrur zgjedhjet. Megjithatë, ndryshimi cilësohet më shumë si formal dhe simbolik, pasi pushteti real mbetet në duart e ushtrisë.
Gjendja e jashtëzakonshme, që ka qenë në fuqi që nga viti 2021 dhe është zgjatur shtatë herë, është hequr zyrtarisht. Zëdhënësi i qeverisë, Zaw Min Tun, deklaroi se gjashtëmujori i ardhshëm do të shërbejë për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve.
Zgjedhjet, të cilat pritet të mbahen në dhjetor dhe janar, janë cilësuar nga vendet perëndimore si farsë që synon të legjitimojë sundimin ushtarak. Grupi opozitar i udhëhequr nga lëvizja pro-demokracisë dhe përkrahës të ish-lideres Aung San Suu Kyi ose janë përjashtuar nga gara ose kanë refuzuar të marrin pjesë.
Ekspertët ndërkombëtarë, si analisti David Mathieson, thonë se ky veprim nuk sjell ndryshim real: “Ata po i riorganizojnë të njëjtat pjesë dhe po e quajnë regjimin me një emër të ri. Do të vazhdojnë të jenë abuzivë dhe shtypës.”
Ndërkohë, lufta civile e shkaktuar nga grushti i shtetit ka bërë që ushtria të mos ketë kontroll të plotë mbi vendin. Një regjistrim kombëtar për qëllime zgjedhore është kryer vetëm në 145 nga 330 komunat e vendit, duke reflektuar nivelin e ulët të kontrollit të ushtrisë.
Nëntë zona të vendit janë shpallur ende nën ligj ushtarak për shkak të rrezikut të dhunës. Mjanmari vazhdon të përballet me një krizë të thellë politike dhe humanitare, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar mbetet skeptik ndaj çdo procesi të inicuar nga junta ushtarake.