
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka bërë një deklaratë të fortë në një intervistë për “News24”, duke e cilësuar Partinë Demokratike si një forcë në agoni dhe në rënie të lirë.
Ai u shpreh se mungesa e reflektimit dhe thellimi i përçarjes e kanë çuar partinë në një krizë të pakthyeshme, ndërsa theksoi se Sali Berisha ka vetëm dy mundësi reale për të shpëtuar atë që vetë ndërtoi.
“PD është në agoni. Skenari më i mirë do ishte që zoti Berisha të bëjë një gjë të mirë për atë që ka ndërtuar vetë: të shpëtojë PD-në sa pa vdekur. Ose të tërhiqet me dinjitet, ose të riformojë partinë realisht. Nuk ka më kohë për manovra. Duhet reformë e thellë në struktura, seksione, dhe largim i atyre që nuk kanë vota,” deklaroi Sula.
Ai kritikoi ashpër drejtuesit aktualë të PD-së, duke i cilësuar të paaftë për të drejtuar dhe përfaqësuar demokratët:
“Flamur Noka dhe Albana Vokshi nuk i duan më demokratët. Është turp që numri dy i PD-së të ketë një formim kaq të dobët. Si do të rikthehen votat me këta njerëz?”, u shpreh ai.
Sula komentoi edhe lobimin e PD-së në SHBA për heqjen e “non grata”-s ndaj Sali Berishës, duke thënë se një përgjigje nga Departamenti Amerikan i Shtetit, qoftë edhe negative, do të ndihmonte në mbylljen e këtij kapitulli përçarës:
“Letra e kompanisë lobuese drejtuar DASH është një zhvillim i rëndësishëm. Një përgjigje, sado negative, do t’i jepte fund debatit që ka ndarë PD-në dhe ka sjellë luftë civile brenda saj. Mund të jetë një pikënisje e fortë për Berishën ose për PD-në.”
Ish-deputeti theksoi gjithashtu se nuk ka një bashkim real në PD dhe se numri i madh i votuesve që janë larguar është tregues i qartë i krizës:
“Janë bashkuar 3-4 veta në grupin parlamentar, por poshtë nuk ka ndodhur asgjë. 250 mijë vota u larguan nga PD dhe shkuan te partitë e vogla. Kush do bëjë analizën e humbjes? Ata që s’kanë as votat e shtëpisë së tyre?”, tha Sula me ironi.
Për të ardhmen, Sula sheh dy skenarë të mundshëm: reformim i thellë ose lindja e një grupi të ri rezistence nga brenda PD-së.
“Skenari i dytë është një foltore e re, një grup rezistence brenda PD-së. Partitë e reja do zhbëhen, përveç Agron Shehajt që ka një shans të konsolidohet. Nëse figura si Jorida Tabaku, Belind Këlliçi, Ervin Salianji nisin një lëvizje të re në shtator, do ishte diçka pozitive. Nëse heshtin dhe mendojnë vetëm për karrigen, atëherë gjithçka ka marrë fund.”
Në fund, Sula deklaroi prerazi se nuk do të largohet nga politika për shkak të intrigave të brendshme:
“Nuk i jap kënaqësinë askujt të më nxjerrë nga politika kështu. Përveç Berishës, të tjerët i shoh më poshtë se vetja. Politika duhet të ketë moral.”