
Kreu i PD-së Berisha përsëriti sot akuzat ndaj kreut të SPAK-ut Altin Dumani, duke e cilësuar atë avokat të krimit zgjedhor dhe përgjegjës për atë që e cilëson farsë të 11 majit.
Gatë bashkëbisedimit me gazetarët në selinë blu, Berisha, komentoi raportin e sotëm të Dumanit për zgjedhjet e 11 majit duke hedhur poshtë deklaratat e këtij të fundit.
“Shiko çfarë bën; pasi s’ka reaguar, tani thotë se ato nuk bazohen. Asnjë padi e jonë nuk bazohet pa prova. Kurrë. Në fakt, ne e dimë që ai është avokat kryesor i krimit elektoral të Edi Ramës. Ndaj dhe akuzojmë atë si përgjegjësin e dytë pas Edi Ramës, për farsën elektorale. Është skandal të thotë se nuk kanë prova. Ju jeni këtu, çfarë kam paraqitur unë. Unë çdo ditë kam paraqitur vetëm prova, saqë jam përpjekur që të mos bëhem monoton dhe i mërzitshëm për publikun dhe për ju, dhe kam paraqitur as 1/10 e atyre. Çfarë e pengon atë që ti marrë këto prova? Por ai është një kriminel elektoral, vetë. Edhe njëherë, pas Edi Ramës ai është njeriu direkt përgjegjës më shumë se kushdo tjetër, për farsën elektorale, sepse me amnistimin e krimit elektoral, ai defakto jep licencë, firmos licencën për farsën elektorale të partisë së krimit.” – tha Berisha.
Kreu i PD-së shtoi më tej se Dumani po mbron gjyqtaren Irena Gjoka, e cila sipas tij ka kryer tre vepra penale.
“Por unë meqenëse ai sot deklaroi se po hetohet për fakte të tjera penale, ai keqpërdoret në shkallë ekstreme, siç po bën me Irenën me 5 mbiemra, të cilën për ta mbrojtur nga krimet e saj, i hap çështje penale pa emër në mënyrë që të thotë po hetoj dhe të na dalë nesër se dikush ia ka grabitur pasaportën Irenës dhe ka shkuar në Janinë dhe është dënuar me burg personi që i ka grabitur… ose ndonjë tjetër, ndonjë trillim. Pra, hapja e çështjes pa emër për Irena Gjokën në një kohë kur ajo ka 3 vepra penale, ka mashtruar në formularin e vetingut, ka mashtruar në formularin e dekriminalizimit, ka fshehur burgun për të cilën ajo nuk do mund të ishte kurrë gjykatëse, por duhej të ishte në burg.”– shtoi Berisha.