
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, po merr pjesë në Konferencën e Gjashtë Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve, e cila po zhvillohet në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, nën organizimin e Unionit Ndërparlamentar.
Punimet e Konferencës po mbahen në sallën historike të Lidhjes së Kombeve, një ambient simbolik që pritet të mirëpresë diskutime mbi forcimin e rolit të parlamenteve në përballjen me sfidat globale.
Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Spiropali pritet të mbajë një fjalim në sesionin plenar të Konferencës, ku do të prezantojë qasjen e Shqipërisë për forcimin e demokracisë parlamentare, dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në margjinat e aktivitetit, kryeparlamentarja shqiptare do të zhvillojë takime bilaterale me një sërë homologësh të saj, përfshirë Presidenten e Bundestagut Gjerman, Julia Klöckner, Kryetarin e Knessetit të Izraelit, Amir Ohana, Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Andreas Norlén, Kryetaren e Parlamentit të Republikës Çeke, Markéta Pekarová Adamová, si dhe Kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë, Shalva Papuashvili.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali e cilësoi këtë konferencë si një moment të rëndësishëm për dialogun parlamentar global, duke theksuar simbolikën e mbajtjes së saj në një nga sallat më historike të diplomacisë ndërkombëtare.
Postimi i Spiropalit:
Gjenevë, Zvicër
Pritja në Konferencën e Gjashtë Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve, organizuar nga Unioni Ndërparlamentar, punimet e së cilës do të mbahen në sallën historike dhe ikonike të Lidhjes së Kombeve, në Pallatin e Kombeve të Bashkuara.