Vendosni fjalën kyçe....

PL kundër ndryshimeve në Kodin Penal: Tentativë për shtet autoritar dhe censurë


Partia e Lirisë ka reaguar ashpër ndaj draftit të ri për ndryshimet në Kodin Penal, përmes një deklarate nga Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi. Sipas tij, ky draft përbën një “atentat ndaj shtetit të së drejtës” dhe synon vendosjen e një regjimi autoritar në vend.

Blushi e krahason draftin me nenin famëkeq 55 të diktaturës, duke e cilësuar si një përpjekje për të kriminalizuar fjalën e lirë dhe çdo formë kundërshtimi ndaj qeverisë. Ai paralajmëron se çdo postim, protestë apo kritikë mund të përfundojë nën akuzën e “terrorizmit” apo “dezinformimit”, ndërsa shteti rrezikon të shndërrohet në një polici politike.

Sipas Partisë së Lirisë, drafti i ri lejon ndëshkimin penal të qytetarëve edhe për gabime administrative, ndëshkon bizneset për çështje civile dhe krijon hapësira për lirimin pa kriter të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, thuhet se zyrtarët e lartë që abuzojnë me detyrën mund të përfitojnë nga boshllëqet ligjore.

Blushi thekson se ky draft është hartuar pa konsultim me profesionistët e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile apo OJF-të e të drejtave të njeriut, duke e konsideruar atë një “mjet shtypës” dhe “vulë ligjore të shtetit të mafies”.

Ai i bën thirrje qytetarëve, juristëve, intelektualëve dhe opozitës që të ngrihen kundër këtij projektligji dhe ta rrëzojnë si një “grusht shteti juridik ndaj lirisë”.