Vendosni fjalën kyçe....

Putin i flet Netanyahut për integritetin territorial të Sirisë, ofron ndërmjetësim për Iranin



Presidenti rus, Vladimir Putin, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, më 28 korrik. Kjo bisedë vjen në sfondin e tensioneve të rritura në jug të Sirisë, ku dhuna sektare ka nxitur ndërhyrjen ushtarake të Izraelit, përcjell REL.

Izraeli ka kryer sulme ajrore gjatë këtij muaji në Damask dhe në provincën Suveida, e banuar kryesisht nga minoriteti druz, duke deklaruar se po vepron për të mbrojtur këtë komunitet fetar dhe për të forcuar kërkesat për çmilitarizimin e jugut të Sirisë.

“Putin theksoi rëndësinë e mbështetjes së unitetit, sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë,” thuhet në njoftimin e Kremlinit. Ai nënvizoi se stabiliteti politik në vend duhet të arrihet përmes respektimit të interesave të të gjitha grupeve fetare dhe etnike.

Gjatë bisedës, presidenti rus i ofroi gjithashtu Netanyahut ndërmjetësim në lidhje me programin bërthamor të Iranit – një çështje që mbetet në qendër të tensioneve rajonale.

Rusia, aleate e afërt e presidentit sirian Bashar al-Assad – i cili raportohet se është larguar drejt Moskës me familjen pas rrëzimit nga pushteti në dhjetor – ruan dy baza ushtarake në territorin sirian. Nga ana tjetër, Moska ka forcuar lidhjet ushtarake edhe me Iranin, sidomos pas nisjes së ofensivës në Ukrainë.

Pavarësisht këtyre aleancave, Kremlini përpiqet të mbajë marrëdhënie të qëndrueshme edhe me Izraelin, vend ku jeton një komunitet i madh me prejardhje ruse.