
Zjarri që ka përfshirë kodrat dhe pyjet përreth Borshit ka marrë përmasa alarmante, ndërsa flakët vijojnë të përhapen me shpejtësi të madhe, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta. Pamjet nga terreni tregojnë një situatë kritike, ku zjarri ka avancuar drejt zonave të banuara, duke rrezikuar seriozisht banesat dhe jetën e banorëve.
Në një reagim në rrjetet sociale, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një video nga zona e përfshirë nga zjarri, ku shihet intensiteti i flakëve dhe tymi i dendur që mbulon kodrat përreth.
“Borshi në flakë! Asnjë ndihmë! Ramoduro me satelitët!”, shkruan Berisha, duke akuzuar autoritetet për mungesë të plotë të reagimit dhe duke u bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme për vënien në kontroll të situatës.
Deri më tani nuk ka informacion zyrtar mbi shkallën e dëmeve apo për ndonjë plan konkret të emergjencës për këtë vatër zjarri, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të pronave.