Vendosni fjalën kyçe....

Kosova përfshihet nga flakët, 29 vatra zjarri në 8 orë



Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) në Kosovë ka raportuar për një situatë alarmante me shpërthimin e
29 vatrave zjarri vetëm në 8 orët e fundit, si pasojë e temperaturave të larta dhe erërave të forta që kanë përfshirë vendin, përcjell REL.

Në njoftimin zyrtar, AME bën me dije se 17 nga këto vatra janë lokalizuar, ndërsa 12 mbeten ende aktive, duke përbërë rrezik të shtuar për përhapje të mëtejshme dhe dëme të mëdha.

Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo rast në numrat emergjentë 112, 193 ose 192.

Sipas raportimeve paraprake, shumica e zjarreve masive dyshohet se shkaktohen nga dora e njeriut, duke shtuar edhe më shumë përgjegjësinë qytetare për parandalimin e situatave të rrezikshme.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka konfirmuar përhapjen e zjarreve në disa fshatra të komunës që ai drejton. Ai u ka bërë apel qytetarëve që kanë pajisje për shuarjen e zjarrit, të ndihmojnë në zonën Dubravë – Sallagrazhdë – Mushtisht, ku situata është veçanërisht kritike.

AME kishte raportuar edhe një ditë më parë për 23 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeteshin aktive deri në orën 15:00. Deri më tani nuk ka një bilanc të saktë për dëmet, por video të shumta në rrjetet sociale kanë treguar arat me grurë dhe sipërfaqe të tëra pyjore në flakë, kryesisht në zonat rurale.

Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2024 në Kosovë janë regjistruar 94 zjarre, të cilat kanë djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre — një shifër alarmante që kërkon ndërhyrje urgjente dhe strategji afatgjata për menaxhimin e emergjencave natyrore.