
Zjarri që përfshiu mesditën e së enjtes zonën e Kalasë në fshatin Senicë të bashkisë Delvinë ka dalë jashtë kontrollit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe lëndime në njerëz.
Sipas informacioneve, janë dëmtuar dy efektivë të policisë së komisariatit të Delvinës. Komisar Agim Troci, shef i komisariatit, ka pësuar djegie në trup ndërsa ndodhej në terren së bashku me ekipin për shuarjen e flakëve.
Troci është dërguar fillimisht në spitalin e Sarandës për ndihmën e parë dhe më pas është transportuar me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë, për shkak të djegieve të marra në bark, krah dhe këmbë.
Ndërkohë, shefi i krimeve, Joni Lame, është asfiksuar nga tymi dhe ka marrë ndihmë mjekësore.
Zjarri ka përfshirë gjithashtu edhe fshatin Palavli, ndërsa deri tani janë djegur 11 banesa dhe është shkatërruar Kisha 200-vjeçare e Shën Dhimitrit në Senicë, një objekt me vlera të mëdha historike dhe kulturore.
Në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse nga bashkitë Delvinë, Sarandë, Konispol, Finiq dhe Himarë, si dhe forca të emergjencave civile, policisë dhe autoriteteve vendore. Po ashtu, në zonë janë të pranishme edhe ekipe të ambulancave për ndihmë të menjëhershme.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe rrezikut për jetën, ka nisur evakuimi i banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçez.
Situata mbetet kritike dhe autoritetet janë në gatishmëri të plotë për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të saj.