Vendosni fjalën kyçe....

Krizë uji në Iran, presidenti Pezeshkian nuk përjashton zhvendosjen e kryeqytetit nga Teherani


Presidenti iranian Masoud Pezeshkian nuk përjashton mundësinë e zhvendosjes së kryeqytetit nga Teherani për shkak të krizës së rëndë të ujit që ka përfshirë vendin, përcjell Jerusalem Post.

“Situata është serioze dhe Teherani praktikisht nuk ka më ujë,” deklaroi Pezeshkian.

Javën e kaluar, autoritetet shpallën ditë pushimi zyrtare në provincën e Teheranit, për të përballuar mungesën e ujit dhe krizën energjetike. Institucionet shtetërore dhe shkollat pritet të qëndrojnë të mbyllura deri të paktën të shtunën, si një mënyrë për të reduktuar konsumin e energjisë dhe ujit.

Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve IRNA, 20 nga 31 provincat e Iranit po përballen me mungesë të rëndë uji. Një nga rezervuarët më të mëdhenj të vendit pritet të thahet plotësisht brenda pak javësh.

Sipas UNICEF-it, temperatura mesatare në Iran është rritur me 2°C që nga vitet 1960 dhe reshjet kanë rënë me 20% në 20 vitet e fundit. Këto ndryshime klimatike, të kombinuara me keqmenaxhimin e burimeve natyrore, kanë çuar në një krizë alarmante.

Një nga pamjet që simbolizon këtë krizë është ai i lumit Karaj në veriun malor të Iranit, ku hyrja e ujit në digën Amir Kabir ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i qershorit.

Kritikët e regjimit e kanë akuzuar qeverinë për dështim të plotë në përballjen me krizën klimatike. Ministri i Energjisë së Izraelit, Eli Cohen, reagoi me një postim në rrjete sociale në gjuhën perse, duke deklaruar:

“Vuajtja e popullit iranian është rezultat i drejtpërdrejtë i regjimit islamik. Në vend që të adresojnë nevojat e qytetarëve të tyre, ata shpenzojnë burime për organizata terroriste në Liban, Siri, Jemen dhe Gaza.”

Ai shtoi se Izraeli ka tejkaluar mungesën e ujit falë teknologjisë dhe tani madje eksporton ujë në vendet fqinje. Në fund, Cohen iu drejtua popullit iranian:

“Ditën që ky regjim shtypës të rrëzohet, jeta juaj do të përmirësohet ndjeshëm, dhe edhe ju do të mund të përfitoni nga teknologjitë tona për ujin.”