
Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka ngritur një njësi të posaçme hetimore, të cilën e ka cilësuar si një “forcë goditëse”, për të hetuar pretendimet se administrata e ish-presidentit Barack Obama ka ndërmarrë një “konspiracion tradhtie” duke fabrikuar informacione të rreme për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në mbështetje të Donald Trump.
Kjo lëvizje vjen pasi drejtoresha e Zbulimit Kombëtar, Tulsi Gabbard, deklasifikoi një sërë dokumentesh nga koha e administratës Obama, të cilat, sipas saj, tregojnë për një përpjekje të qëllimshme për të diskredituar Trump pas fitores së tij ndaj Hillary Clinton.
Dy senatorë republikanë, Lindsey Graham dhe John Cornyn, kanë kërkuar emërimin e një prokurori të posaçëm për hetimin e kësaj që ata e kanë quajtur “një abuzim i paprecedentë me pushtetin” nga administrata Obama. “Për të mirën e vendit, i bëjmë thirrje Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi, të caktojë një prokuror të posaçëm për të hetuar nëse ish-presidenti Obama dhe zyrtarët e tij përdorën aparatin e sigurisë kombëtare për qëllime politike,” u shprehën senatorët në një deklaratë të përbashkët, përcjell Guardian.
Gabbard, nga ana e saj, ka akuzuar Obamën dhe zyrtarët e lartë të administratës së tij se kanë ndërtuar një “grusht shteti shumëvjeçar” përmes hetimeve të FBI-së dhe prokurorit të posaçëm që pasuan zgjedhjet. Ajo ka rekomanduar ndjekje penale, përfshirë ndaj vetë ish-presidentit Obama.
Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi deklaroi në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë se Departamenti i Drejtësisë do të hetojë “pa lënë asnjë gur pa lëvizur”. Një burim pranë kësaj “force goditëse” i tha rrjetit Fox News se “asnjë pistë serioze nuk përjashtohet”.
Megjithatë, çdo përpjekje për të ndjekur penalisht Obamën mund të pengohet nga vendimi i Gjykatës së Lartë të vitit të kaluar, i cili i garanton presidentëve imunitet të gjerë për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës. Ky vendim, i cili fillimisht shihej si një fitore për Trump, mund të përbëjë tani një pengesë për përpjekjet e tij për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve politikë.
Zyra e ish-presidentit Obama reagoi duke e cilësuar këtë hetim si “të turpshëm” dhe “të pabazuar”. Ndërkohë, figura të tjera të shënjestruara përfshijnë James Clapper, John Brennan, James Comey, Andrew McCabe, Susan Rice, John Kerry dhe Loretta Lynch – të gjithë ish-zyrtarë të nivelit të lartë gjatë administratës Obama.
Ndërsa Gabbard pretendon se ka gjetur prova që vënë në dyshim raportet fillestare të shërbimeve të inteligjencës për ndërhyrjen ruse, hetime të mëparshme nga Senati dhe FBI kanë konfirmuar përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në favor të Trump, përmes fushatave të dezinformimit dhe publikimit të dokumenteve të hakuara nga Partia Demokratike.
Analistë të inteligjencës e kanë kritikuar ashpër Gabbard për përdorimin e pozicionit të saj për qëllime politike, duke paralajmëruar për politizimin e rrezikshëm të agjencive të sigurisë kombëtare.