
Një ngjarje e rëndë familjare është zbardhur nga Policia e Fierit, pas një hetimi të shpejtë dhe profesional që çoi në arrestimin e 26-vjeçares Emanilda Rama, e cila akuzohet për vrasjen e babait të saj, Anesti Rama, 56 vjeç.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi në banesën e familjes në fshatin Frashër, mbrëmjen e së martës më 23 korrik.
Fillimisht, vajza njoftoi policinë rreth orës 23:00 duke deklaruar se i ati kishte humbur jetën aksidentalisht. Por dyshimet e para të ngritura nga hetuesit gjatë dëshmisë së saj dhe analizës së vendngjarjes çuan në nisjen e hetimeve të thelluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit.
Sipas Policisë së Shtetit, hetimet zbuluan se 26-vjeçarja kishte vrarë të atin për motive të dobëta, duke e mbytur me një tel. Krimi dyshohet të jetë kryer me paramendim, ndërsa pas ngjarjes, e reja tentoi të inskenonte gjithçka si një aksident.
Policia njoftoi gjithashtu se është shoqëruar nëna e vajzës, e cila dyshohet se ka bashkëpunuar në pastrimin e trupit të viktimës për të mbuluar gjurmët e vrasjes dhe për të krijuar idenë e një vdekjeje aksidentale.
Operacioni u kodua me emrin “Inskenimi” dhe u drejtua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Policisë së Fierit. Autoritetet thonë se do të vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të krimit.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa pritet që Prokuroria të kërkojë masë sigurie për të arrestuarit në ditët në vijim.
Njoftimi:
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases 26 vjeçare, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.
Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.
Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja Emanilda Rama ka vrarë babanë e saj, shtetasin Anesti Rama, për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).