
Disa zyrtarë e ish-zyrtarë të Bashkisë Fier janë arrestuar nga policia në një operacion që ka nisur në orët e para të mëngjesit. Mes të ndaluarve është edhe ish-nënkryetarja e bashkisë, Adela Hysenaj, e cila është lënë në arrest shtëpie. Hysenaj ka mbajtur gjithashtu edhe postin e drejtoreshës së përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës
Mes të ndaluarve me masat arrest shtëpie apo pezullim nga detyra janë edhe dy drejtorë të Tatimeve dhe Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Fierit.
Në arrest shtëpie është lënë edhe 41-vjeçari Vasil Ceku, drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, 38-vjeçarja Anisa Cjapi, drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, si dhe 57-vjeçarin Martin Dodi, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier.
Ata akuzohen për mosvjeljen e taksës të parkimit nëntokësor që administron bashkia, që ka shkaktuar një dëm prej 40 milionë lekësh sipas prokurorisë.
Njoftimi i Prokurorisë së Fierit
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas një pune hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ka finalizuar operacionin policor “Parking”.
Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:
– “Arrest në shtëpi” për shtetasen A. H., 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;
– “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin V. C., 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen A. C., 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin M. D, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Këta shtetas, duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron Bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milion lekë në arkat e Bashkisë Fier.
Gjithashtu, këta shtetas, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregëtare në Fier, kundrejtë përfitimit. Materialet i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.”