
Në një deklaratë të rrallë publike, ish-presidenti amerikan Barack Obama ka mohuar kategorikisht akuzat e presidentit Donald Trump, i cili e quajti atë “organizatori kryesor” i hetimit mbi lidhjet e fushatës Trump me Rusinë, të njohur si “Russiagate”, përcjell Fox News.
Trump tha të martën se Obama dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare kishin “fabrikuar” të dhëna inteligjente për të ngritur një narrativë të rreme për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e vitit 2016, dhe kërkoi ndjekje penale ndaj tij.
Zëdhënësi i Obamës, Patrick Rodenbush, reagoi duke i quajtur akuzat “absurde dhe një përpjekje e dobët për të shpërqendruar vëmendjen”. Ai shtoi se raportet e inteligjencës dhe një hetim i vitit 2020 i udhëhequr nga Senati amerikan konfirmojnë se Rusia u përpoq të ndikonte në zgjedhje, edhe pse nuk manipuloi votat.
Debati u ndez pas deklasifikimit të disa dokumenteve nga ish-Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, që pretendojnë se administrata Obama ka politizuar të dhënat për të përforcuar narrativën anti-Trump. Gabbard i ka dorëzuar dokumentet Departamentit të Drejtësisë për hetim penal.
Trump akuzoi personalisht Obamën, Joe Bidenin, Comey, Brennan dhe të tjerë, duke i përmendur si pjesë të një “komploti të organizuar” në Zyrën Ovale. Ai tha gjithashtu se raporti i Steele, i financuar nga fushata Clinton, ishte “i fabrikuar dhe plotësisht i rremë”.
Megjithatë, raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller dhe më pas hetimi i John Durham nuk arritën të gjenin prova të një konspiracioni penal mes fushatës Trump dhe zyrtarëve rusë. Por Durham kritikoi FBI-në për dështim në verifikimin e burimeve dhe manipulim të procesit hetimor për qëllime politike.
Kjo përplasje e re rihap një nga kapitujt më të debatueshëm të politikës amerikane të dekadës së fundit, me implikime të thella për besimin në institucionet e inteligjencës dhe procesin demokratik.