Vendosni fjalën kyçe....

33 të vdekur nga uria në 48 orët e fundit në Gaza, përfshirë 12 fëmijë


Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, ka njoftuar se 33 persona, mes tyre 12 fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e kequshqyerjes dhe urisë në 48 orët e fundit.

Të dhënat u deklaruan nga drejtori i Spitalit Shifa, Dr. Mohammed Abu Salmiya, për BBC-në.

Sipas tij, rreth 900,000 fëmijë në Gaza janë aktualisht duke vuajtur nga uria, ndërsa kushtet humanitare në territor janë përkeqësuar në mënyrë dramatike si pasojë e ofensivës izraelite që vijon prej muajsh.

Paralajmërimi vjen teksa sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka deklaruar se “fijet e fundit të shpëtimit në Gaza po shuhen”, duke theksuar se sistemi humanitar në territorin palestinez është duke u rrënuar me një ritëm “gjithnjë e më të shpejtë”.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm britanik, David Lammy, është shprehur se ndihet “i neveritur” nga skenat “makabre” që vijnë nga Gaza.

Të hënën, Lammy iu bashkua 27 vendeve të tjera në një deklaratë të përbashkët që dënon vrasjen “tronditëse” të qindra palestinezëve që përpiqeshin të siguronin ushqim nga operacionet humanitare të Izraelit.

Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se ofensiva e re tokësore e Izraelit në Gazën qendrore ka ndikuar rëndë në aftësinë e saj për të ofruar ndihmë shëndetësore, pasi disa nga objektet e saj janë goditur gjatë sulmeve. Izraeli nuk ka dhënë ende një koment mbi këto akuza.