
Republika Demokratike e Kongos dhe rebelët e grupit M23 kanë firmosur një marrëveshje armëpushimi në Katar, me synimin për t’i dhënë fund përplasjes së përgjakshme në lindje të vendit.
Marrëveshja, e quajtur “Deklarata e Parimeve”, ndalon sulmet, propagandën e urrejtjes dhe përpjekjet për të pushtuar me forcë territore të reja. Palët janë zotuar të zbatojnë termat e saj deri më 29 korrik, ndërsa një marrëveshje paqeje përfundimtare pritet më 18 gusht, në përputhje me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga SHBA mes DR Kongos dhe Ruandës muajin e kaluar, përcjell BBC.
Konflikti është përshkallëzuar gjatë këtij viti, pasi rebelët e M23 morën nën kontroll pjesë të mëdha të rajonit mineral-mbajtës në lindje të vendit, përfshirë qytetin Goma, Bukavu dhe disa aeroporte. OKB raporton për mijëra të vrarë dhe qindra mijëra të zhvendosur, ndërsa M23 mohon shifrat.
Qeveria e DR Kongos ka këmbëngulur për një tërheqje të plotë të M23 nga territoret e pushtuara, por përfaqësuesi i M23, Benjamin Mbonimpa, ka thënë se marrëveshja nuk përmend një tërheqje të tillë. Megjithatë, bisedimet do të vazhdojnë, sipas Katarit, ndërsa Komisioni i Unionit Afrikan e ka cilësuar marrëveshjen si një “moment historik” për paqen dhe sigurinë në rajon.