Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i përkohshëm sirian shpall armëpushim pas përplasjesh vdekjeprurëse sektare në jug


Presidenca siriane ka shpallur një “armëpushim të menjëhershëm” në qytetin jugor të Suweidës, për të ndaluar përplasjet sektare që kanë vazhduar për një javë dhe që kanë shkaktuar qindra viktima.

Përleshjet kanë ndodhur mes fiseve beduine dhe komunitetit druzi, të dyja palët të akuzuara për mizori. Pamje tronditëse tregojnë trupa të pajetë të shpërndarë në rrugët e qytetit.

“Ky moment kërkon unitet të plotë dhe bashkëpunim për të kapërcyer atë që po përjetojmë,” tha presidenti i përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, përcjell BBC.

Forcat e sigurisë siriane u vendosën në Suweidë për të ndaluar përplasjet, ndërsa Izraeli dha miratimin për ndërhyrjen me kusht që të mbrohej popullsia druzi.

Më herët gjatë javës, Izraeli ndërhyri drejtpërdrejt në konflikt duke goditur forcat qeveritare dhe ndërtesën e Ministrisë së Mbrojtjes në Damask, duke deklaruar mbështetje për komunitetin druzi.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), me qendër në Britani, që prej shpërthimit të dhunës të dielën janë vrarë të paktën 718 persona.

Ambasadori amerikan në Turqi dhe i dërguari special i SHBA për Sirinë, Tom Barrack, njoftoi të premten për arritjen e marrëveshjes për armëpushim mes Sirisë dhe Izraelit, të mbështetur edhe nga Turqia dhe Jordania, ndërsa Izraeli ende nuk ka komentuar zyrtarisht.

“U bëjmë thirrje druzeve, beduinëve dhe sunitëve të hedhin armët dhe të ndërtojnë së bashku një identitet të ri dhe të bashkuar sirian, në paqe me fqinjët e tyre,” tha Barrack.

Komuniteti druzi i Suweidës ndjek një besim unik dhe sekret që rrjedh nga Islami shiit dhe nuk i beson qeverisë aktuale të Damaskut. Ata përbëjnë një pakicë në Siri, si dhe në Izrael dhe Liban.

Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha më herët se kishte marrë raporte të besueshme për shkelje të rënda të të drejtave gjatë përplasjes, përfshirë ekzekutime të përmbledhura dhe vrasje arbitrare.

Në deklaratën e tij të fundit, presidenti i përkohshëm sirian tha se qeveria e tij “është e përkushtuar për të mbrojtur të gjitha pakicat dhe sektet në vend dhe do të ndjekë penalisht të gjithë shkelësit, pa përjashtim. Askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë.”