Vendosni fjalën kyçe....

Dashnor Sula komenton debatin Lapaj-Shabani: Rama ka lindur me këmishë, ka gjetur rehat me këtë opozitë



Dashnor Sula ka komentuar përplasjet e fundit midis Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, duke i konsideruar të pritshme dhe të paralajmëruara. Sula tha se situata aktuale me mandatet ishte e parashikueshme.

“Unë e kisha të qartë se këto situata do të ndodhnin për këtë çështjen e mandateve. Po Lapaj nuk e mbajti fjalën nga deklarata e tij se mandatin mund ta merrte dikush tjetër nëse do të merrte një mandat, ai vetë s’do të hynte në Kuvend,” u shpreh Sula.

Ai shtoi se ka këshilluar më herët partitë e reja që të jenë pjesë e sistemit parlamentar për të ndikuar nga brenda, dhe jo të qëndrojnë jashtë tij. Sipas tij, Lapaj dhe të tjerë kanë refuzuar këtë rrugë me një “naivitet politik” që ka lënë hapësira bosh në skenën opozitare.

Sula theksoi nevojën për një opozitë të fortë dhe të re, që të rikthejë balancën në politikën shqiptare dhe besimin e qytetarëve te demokracia. Ai nuk kurseu kritikat as ndaj PD-së, duke e konsideruar të shkëputur nga qytetarët dhe terreni.

“Edi Rama ka lindur me këmishë, ka gjetur rehat me këtë opozitë. Ata e kanë humbur shansin në raport me demokracinë në tërësi. Forcat e reja duhet të kishin sjellë një ekuilibër më të madh. Rama po përpiqet të riformatojë sepse nuk ka një opozitë që të bëjë presion qeverisë,” tha ai.

Duke komentuar situatën pas zgjedhjeve të 11 majit, Sula u shpreh se opozita ka dështuar të përqafojë një qasje të re dhe të jetë aktive në terren.

“Pas 11 majit, opozita duhej të kishte qenë në terren. Dy njerëzit që prodhojnë politikë çdo ditë janë Rama dhe Berisha. PD është shkëputur nga njerëzit dhe demokratët, ndaj dhe nuk fiton dot në zgjedhje,” përfundoi Sula.