Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri pranë puseve të naftës në Drenovë vendoset nën kontroll falë ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe Albpetrolit



Një vatër zjarri është riaktivizuar mesditën e sotme në masivin pyjor të Drenovës, në Mallakastër, duke krijuar një situatë kritike për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve nën ndikimin e erës së fortë. Zjarri është përhapur në disa drejtime, duke përfshirë një sipërfaqe të gjerë dhe duke rrezikuar objekte me rëndësi të veçantë në këtë zonë naftënxjerrëse.

Në territorin e Drenovës ndodhen puse aktive nafte, një nënstacion elektrik që furnizon këto puse, si dhe një magazinë teknike, të cilat ishin në rrezik të drejtpërdrejtë nga përhapja e flakëve. Ndërhyrja në terren ka qenë sfiduese për shkak të relievit të vështirë, që ka pamundësuar përdorimin e mjeteve të rënda zjarrfikëse.

Pavarësisht këtyre vështirësive, falë mbështetjes së autobotëve dhe pajisjeve të Albpetrolit, si dhe përpjekjeve intensive të forcave zjarrfikëse, flakët janë vënë nën kontroll.

Zonat kritike do të mbikëqyren gjatë gjithë natës nga grupe të gatshme për të shmangur riaktivizimin e zjarrit. Në orët e para të mëngjesit, forca të ushtrisë do t’i bashkohen operacionit për izolimin e plotë të vatrës, ndërkohë që është bërë edhe kërkesë zyrtare për ndërhyrje nga ajri.

Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që një vatër e rrezikshme përfshin Drenovën, çka ngre shqetësimin për masat parandaluese dhe nevojën për ndërhyrje më të shpejtë e të koordinuar në zonat me risk të lartë.