Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj pas debateve Lapaj-Shabani: Se çfarë mendoj unë për Adriatik Lapajn e kam thënë, dhe faktet më japin të drejtë



Kreu i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, komentoi përçarjen mes bashkëkryetarëve të koalicionit “Nisma – Shqipëria Bëhet”, Endri Shabani dhe Adriatik Lapaj, duke thënë se ajo çfarë ndodhi ishte plotësisht e parashikueshme.

I ftuar në emisionin Log. në News24, Shehaj, tashmë deputet i zgjedhur në Kuvendin që nis punën në shtator, tha se për këdo që njeh politikën shqiptare, ishte e qartë që marrëdhënia mes dy drejtuesve të “Nismës” do të përfundonte në këtë mënyrë.

“Ishte një gjë që pritej, nuk ka njeri në Shqipëri që njeh politikën e të mos ketë kuptuar se ajo gjë do të përfundonte vetëm në atë mënyrë si përfundoi”, tha Shehaj.

Ai u distancua nga polemikat dhe theksoi se partia e tij po përqendrohet te ofrimi i një alternative serioze dhe të përgjegjshme politike:

“Ne do të përpiqemi që t’u japim shqiptarëve një politikë serioze. Politikanët gjykohen për premtimet që japin. Kjo është politika. Nëse duam të bëjmë kontrastin me politikanët e vjetër, do e bëjmë pikërisht mbi këtë gjë”, theksoi ai.

I pyetur nëse ndjen ndonjë reflektim pas përplasjeve me Adriatik Lapajn gjatë fushatës së 11 majit, Shehaj u shpreh:

“Se çfarë mendoj unë për Adriatik Lapajn e kam thënë, dhe faktet më japin të drejtë.”

Shehaj do të jetë pjesë e legjislaturës së re në Kuvend, ku partia “Mundësia” ka siguruar përfaqësim pas zgjedhjeve të fundit. Ai ka deklaruar më herët se qëllimi i forcës politike që drejton është ndërtimi i një modeli të ri politik që respekton qytetarin dhe mban përgjegjësi për fjalën e dhënë.