
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian një përjashtim ligjor që do t’i lejonte vendit të tij të vazhdojë blerjen e gazit rus deri në vitin 2034, si kusht për të hequr veton ndaj paketës së re të sanksioneve kundër Rusisë, përcjell Euro News.
Kjo kërkesë e drejtpërdrejtë e Ficos ka ngritur pikëpyetje nëse ngërçi politik brenda BE-së mund të zgjidhet këtë javë, ashtu siç kishin shpresuar diplomatët.
“Zgjidhja më e mirë do të ishte që Sllovakisë t’i jepet një përjashtim që t’i mundësohet përmbushja e kontratës me kompaninë ruse Gazprom deri në përfundimin e saj në vitin 2034 – një gjë që Komisioni Evropian e kundërshton në parim, me arsyetimin se një përjashtim i tillë do të minonte thelbin e sanksioneve ndaj Rusisë,” shkroi Fico në rrjetet sociale.
Sipas tij, qëndrimi i Sllovakisë nuk lidhet me sanksionet vetë, por me afatin për ndërprerjen e importit të karburanteve fosile ruse, të parashikuar të përfundojë deri në fund të vitit 2027. Të ardhurat nga energjia konsiderohen një burim themelor i financimit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Komisioni Evropian publikoi në maj një plan të detajuar për ndërprerjen graduale të kontratave afatshkurtra dhe afatgjata të gazit rus, dhe në qershor paraqiti legjislacionin përkatës në përputhje me këtë strategji.
Për momentin, Komisioni është kundër dhënies së përjashtimeve të tilla, pasi konsideron se çdo hap mbrapa do të dëmtonte qëllimin kryesor të sanksioneve: uljen e të ardhurave të Kremlinit nga eksportet energjetike. Negociatat mes vendeve anëtare vazhdojnë, ndërsa presioni për unitet brenda BE-së përballë Rusisë mbetet i lartë.