Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërcënon Rusinë me tarifa të larta dhe premton furnizime të reja me armë për Ukrainën


Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi të hënën vendosjen e tarifave të ashpra ndaj Rusisë dhe njoftoi një linjë të re furnizimi me armë amerikane për Ukrainën, duke ashpërsuar ndjeshëm qëndrimin e tij ndaj Moskës.

Këto masa shënojnë një ndryshim të dukshëm në qasjen e Trump, i cili më parë kishte kritikuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për mungesë kompromisi, por së fundmi ka shprehur pakënaqësi të madhe ndaj presidentit rus Vladimir Putin.

Ai paralajmëroi se, nëse brenda 50 ditësh nuk arrihet një marrëveshje paqeje, do të vendosen “tarifa dytësore” që do të godasin edhe partnerët tregtarë të Rusisë, me synim izolimin e saj nga ekonomia globale.

Në planin e ri të mbështetjes për Kievin përfshihen edhe sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, të cilat konsiderohen një përparësi kyçe për Ukrainën në përballjen me sulmet me dronë dhe raketa ruse.

Kohët e fundit ishin ngritur dyshime mbi angazhimin e presidentit Donald Trump për furnizimin e Ukrainës, pasi Pentagoni pezulloi përkohësisht dërgesat për shkak të shqetësimeve mbi rezervat e ulëta amerikane, raporton AP.

Kryeministri holandez Mark Rutte tha se Gjermania, Finlanda, Kanadaja, Norvegjia, Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe Danimarka do të jenë ndër vendet që do të ndihmojnë me furnizime. Ai theksoi se “shpejtësia është thelbësore” dhe sugjeroi që disa armë të dërgohen menjëherë në Ukrainë dhe më pas të zëvendësohen nga blerjet e reja në SHBA.