Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja pezullon hakmarrjen tregtare ndaj SHBA-së pas kërcënimit të Trump me tarifa 30%


BE-ja do shtyjë të martën planin e saj për të goditur SHBA-në me tarifa mbi 21 miliardë euro të eksporteve të saj vjetore në Evropë me shpresën e arritjes së një marrëveshjeje, pasi Donald Trump njoftoi se do godiste bllokun me tarifa prej 30% nga 1 gushti.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha të dielën se zbatimi i tarifave prej 21 miliardë eurosh të eksporteve vjetore amerikane në BE, duke përfshirë pulat, motoçikletat dhe rrobat, që duhej të hynin në fuqi pas mesnatës së 14 korrikut, do pezullohej deri në “fillim të gushtit”.

“Ne gjithmonë kemi qenë të qartë se parapëlqejmë një zgjidhje të negociuar me SHBA-në. Kjo mbetet kështu”, tha ajo.

Donald Trump njoftoi të shtunën se do t’i godiste BE-në dhe Meksikën, dy nga partnerët më të ngushtë tregtarë të SHBA-së, me tarifa prej 30% nga 1 gushti.

Udhëheqësit evropianë janë ndarë nëse blloku duhet të shtyjë për një marrëveshje të shpejtë tregtare kornizë të ngjashme me atë të Mbretërisë së Bashkuar apo të vijojë negociatat me shpresën për të arritur një rezultat më të mirë.

Zyrtarë të lartë të BE-së i thanë FT se nuk prisnin që Trump të vijonte përfundimisht me kërcënimin e tij të ri për tarifa prej 30 përqind, i cili po interpretohet gjerësisht nga Brukseli si një përpjekje e presidentit të SHBA-së për të rritur presionin mbi bllokun në kohën e mbetur për negociata, shkruan FT.

Një zyrtar i BE-së vuri në dukje mundësinë e një reagimi shumë negativ të investitorëve amerikanë ndaj masave të tilla të ashpra ndaj një partneri kyç tregtar.

“Ne u besojmë tregjeve”, tha zyrtari.

Ministri gjerman i financave, Lars Klingbeil, bëri thirrje që BE-ja të vijojë bisedimet “serioze”.

“Askush nuk ka nevojë për kërcënime apo provokime të reja tani. Ajo që na duhet është që BE të vazhdojë negociatat serioze dhe të qarta me SHBA-në”, tha ai për Süddeutsche Zeitung.

Megjithatë, Klingbeil paralajmëroi se “nëse nuk mund të arrihet një zgjidhje e drejtë e negociuar, atëherë ne duhet të ndërmarrim kundërmasa vendimtare për të mbrojtur vendet e punës dhe kompanitë në Evropë”.

Përveç listës fillestare të kundë-tarifave, Komisioni Evropian, i cili drejton politikat tregtare, po konsultohet mbi një paketë tarifash për një shumë të mëtejshme prej 95 miliardë eurosh importesh nga SHBA-ja, duke përfshirë avionë, alkool dhe ushqim, të cilat do kenë nevojë për miratimin e shteteve anëtare. Kjo shumë është pakësuar tashmë në 72 miliardë euro, sipas dy diplomatëve, pasi qeveritë lobuan për të hequr disa prodhime të ndjeshme nga lista e synuar.