Vendosni fjalën kyçe....

‘Siguria Detare’ nga Ksamili në Koman: Kontrollohen 254 mjete lundruese, bllokohen 36 prej tyre


Në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, kanë kontrolluar 254 mjete lundruese, nga të cilat 36 janë bllokuar për shkelje të perimetrit të sigurisë detare, ushtrim aktivitetesh jashtë zonave të miratuara dhe mungesë dokumentacioni.

Mjetet e bllokuara përfshijnë 24 Jet Ski, 5 skafe, 4 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.

13 prej këtyre mjeteve janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Për këtë shkelje, drejtuesit janë ndëshkuar me masë administrative prej 100 000 lekësh secili.

Paralelisht me kontrollet, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 10 raste nga Ksamili në Velipojë, duke shpëtuar 18 shtetas shqiptarë dhe të huaj që ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet lundruese.

Policia apelon për respektimin e rregullave të sigurisë në det dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.