Vendosni fjalën kyçe....

Ndërron jetë në moshën 110-vjeçare veterani më i vjetër britanik i Luftës së Dytë Botërore



Donald Rose, veterani më i vjetër britanik i Luftës së Dytë Botërore dhe një nga dëshmitarët e gjallë të D-Day dhe çlirimit të kampit të përqendrimit Bergen-Belsen, ka ndërruar jetë në moshën 110-vjeçare.

Lajmi u konfirmua për AP nga James Dawson, kreu i Këshillit të Bashkisë Erewash në veri të Anglisë, i cili e quajti Rose një “hero lufte”. “Erewash pati privilegjin ta kishte si banor,” tha ai.

Rose mori pjesë në zbarkimin e aleatëve në Normandi më 6 qershor 1944 dhe ishte pjesë e njësisë që çliroi kampin famëkeq nazist Bergen-Belsen në Gjermani.

Në maj të këtij viti, ai ishte një nga 46 veteranët e ftuar në një ceremoni të posaçme për 80-vjetorin e Ditës së Fitores në Europë (VE Day), organizuar nga Royal British Legion në Arboretumin Kombëtar të Kujtesës. Në atë aktivitet, ai u shpreh se nuk kishte festuar më 8 maj 1945.

“Kur dëgjova se armëpushimi ishte nënshkruar, isha në Belsen. Si shumica e ushtarëve aktivë, nuk kishim kohë për të festuar – ishte thjesht një lehtësim kur gjithçka mbaroi,” kujtoi ai.

I lindur më 24 dhjetor 1914, në fshatin Westcott në jugperëndim të Londrës, Rose iu bashkua ushtrisë në moshën 23-vjeçare dhe shërbeu në Afrikën e Veriut, Itali dhe Francë. Ai është nderuar me disa medalje ushtarake, përfshirë edhe Urdhrin e Legjionit të Nderit të Francës, nderimi më i lartë shtetëror në Francë.

Përveçse veterani më i vjetër i luftës, Donald Rose besohet se ishte edhe burri më i vjetër në Britaninë e Madhe.