Vendosni fjalën kyçe....

Partia e Lirisë dënon aksionin në Theth: Terror shtetëror për llogari të oligarkëve



Partia e Lirisë ka reaguar ashpër ndaj aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Policisë së Shtetit në zonën e Thethit, duke e cilësuar si “një sulm të organizuar ndaj qytetarëve të pafajshëm”.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, akuzoi kryeministrin Edi Rama se qëndron pas këtij operacioni, i cili sipas tij, ka për qëllim t’u shërbejë interesave të klientëve dhe oligarkëve, ndërkohë që i kishte premtuar banorëve legalizim para zgjedhjeve të 11 majit.

“Pamjet nga Thethi, ku pushteti ka zbritur me makina të blinduara dhe fadroma si në një fushë beteje, janë dëshmi e një regjimi që ka humbur kontaktin me realitetin dhe çdo ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve,” tha Blushi.

Ai e cilësoi ndërhyrjen si një akt represiv dhe i bëri thirrje autoriteteve që të ndalojnë menjëherë “çdo formë ndërhyrjeje brutale policore dhe urbanistike me armë në dorë”, si dhe të nisen hetime penale për autorët dhe urdhërdhënësit.

Blushi theksoi se Thethi është një nga perlat e turizmit malor shqiptar, dhe në vend që të promovohet si destinacion i zhvillimit të qëndrueshëm, po përballet me shkatërrim të banesave dhe tensione të pajustifikuara me komunitetin lokal.

“Kur një shtet i drejton armët kundër popullit të vet – ai nuk është më shtet. Është regjim represiv dhe duhet përballur si i tillë,” u shpreh ai, duke e përfunduar deklaratën me një thirrje për solidaritet kombëtar ndaj komuniteteve që, sipas tij, po shtypen për interesa klienteliste.