
Tensionet diplomatike mes Rusisë dhe Polonisë janë përshkallëzuar sërish, pasi Moska ka njoftuar vendimin për të mbyllur Konsullatën e Përgjithshme të Polonisë në Kaliningrad, enklava ruse që kufizohet me Poloninë dhe Lituaninë.
Ky vendim vjen si kundërpërgjigje ndaj mbylljes nga ana e Polonisë të konsullatës ruse në qytetin jugor të Krakovës, pas akuzave të autoriteteve polake se Moska ishte përfshirë në një zjarrvënie që shkatërroi një qendër tregtare në Varshavë vitin e kaluar, sipas The Guardian.
Ministria e Jashtme ruse deklaroi se ka “tërhequr pëlqimin për funksionimin e Konsullatës së Përgjithshme të Polonisë në Kaliningrad duke filluar nga data 29 gusht”. Rusia e cilësoi këtë hap si një përgjigje të “duhur” ndaj veprimit polak.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Polonisë, Paweł Wroński, bëri me dije se edhe Varshava do të reagojë në mënyrë “të përshtatshme” ndaj këtij zhvillimi.
Kjo nuk është hera e parë që të dy vendet përplasen në një “luftë diplomatike” të ndërsjellë. Vitin e kaluar, Polonia vendosi kufizime mbi lëvizjen e diplomatëve rusë në territorin e saj, duke akuzuar Moskën për përfshirje në atë që e cilësoi si “luftë hibride”.
Më pas, Polonia urdhëroi mbylljen e konsullatës ruse në qytetin Poznan dhe paralajmëroi se mund të mbyllë edhe konsullata të tjera ruse në rast se aktet e cilësuara si “terrorizëm” do të vijonin.
Në fillim të këtij viti, si pjesë e masave të ndërsjella, Rusia mbylli Konsullatën Polake në Shën Petersburg. Përplasja diplomatike mes dy vendeve vijon të thellohet ndërsa raportet mbeten tejet të tensionuara.