
Policia e Kurbinit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Fokusi”, duke vënë në pranga një 25-vjeçar me rrezikshmëri të lartë, i shpallur më parë në kërkim për disa vepra penale të rënda.
I arrestuari është identifikuar si Orgest Mehi, i njohur edhe me emrin Orgest Shehaj, banues në Fushë Kuqe të Kurbinit.
Operacioni u zhvillua pas një pune të gjatë hetimore dhe informacionesh të siguruara në rrugë operative.
Policia arriti të lokalizojë dhe të arrestojë të riun, i cili ishte i shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë, e cila më datë 9 shkurt 2024 i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” si dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Ngjarja që çoi në shpalljen në kërkim të këtij shtetasi ka ndodhur më 18 dhjetor 2023 në zonën e Fushë Kuqes.
Orgest Mehi nuk iu bind urdhrit të efektivëve të policisë për të ndaluar automjetin dhe tentoi të përplaste punonjësit e rendit, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Ai arriti të largohej me shpejtësi, por më vonë policia gjeti dhe sekuestroi automjetin e braktisur në fshatin Gurëz.
Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti një armë zjarri të llojit snajper me precizion të lartë dhe fishek të vendosur në fole, si dhe një çantë me municion luftarak të përshtatur për këtë armë.
Materialet procedurale për këtë rast i janë referuar tashmë Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia e Shtetit ka theksuar vendosmërinë për të vijuar punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe goditjen e paligjshmërisë.
Njoftim i Policisë:
Në vijim të punës së pandërprerë për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar në informaionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Fokusi”, gjatë të cilit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
- M. alias O. Sh., 25 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin e datës 09.02.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Më datë 18.12.2023, në Fushë Kuqe, shtetasi O. M. alias O. Sh. nuk i është bindur urdhrit të punojësve të Policisë në shërbim, për të ndaluar automjetin, dhe ka rrezikuar jetën e tyre, duke u larguar me shpejtësi, me automjet. Më pas, gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas e kishte braktisur në fshatin Gurëz, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri snajper me precizion të lartë dhe fishek në fole, si dhe një çantë me municion luftarak për këtë armë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.