
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur sot një konferencë për mediat ku ka dhënë qëndrime të qarta mbi dy nga reformat më të rëndësishme që priten të diskutohen: reformën zgjedhore dhe atë territoriale, të sugjeruara edhe nga faktori ndërkombëtar, përfshirë OSBE-ODIHR.
Berisha u shpreh se është i gatshëm të ulet në tavolinë me Partinë Socialiste për të diskutuar reformën zgjedhore, duke theksuar se kjo reformë është një proces politik që duhet të zhvillohet mes partive politike.
Megjithatë, ai refuzoi kategorikisht të ulet në dialog me qeverinë për reformën territoriale, duke theksuar se Partia Demokratike nuk e njeh legjitimitetin e qeverisë aktuale të dalë, sipas tij, nga një “farsë elektorale”.
“Reforma zgjedhore bëhet nga partitë politike. Nuk mund të them se s’do ulemi me PS-në për reformën elektorale, sepse PS është pjesë e spektrit politik. Por nuk mund të ulemi me qeverinë e Edi Ramës, e cila ka humbur legjitimitetin,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se Edi Rama vendosi “dorën e tij të zezë” mbi reformën territoriale dhe se ky proces nuk mund të zhvillohet me një qeveri që, sipas tij, ka dalë nga zgjedhje të manipuluara.
I pyetur nga gazetarët, Berisha nënvizoi ndarjen e “binarit politik” nga ai “qeveritar”, duke e quajtur të papranueshme që PD të dialogojë me Ramën për reformën territoriale.
Në vijim të deklaratës së tij, Berisha akuzoi kryeministrin për një valë të paprecedentë shkarkimesh të drejtorëve të bashkive, të cilat i cilësoi si shkelje të rënda kushtetuese dhe të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore.
Sipas tij, këto veprime janë në kundërshtim me një vendim të mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2006, që ndalon ndërhyrjen e qeverisë qendrore në pushtetin vendor.
“Marja e kompetencave nga qeveria qendrore në atë vendore është një akt i rëndë antikushtetues. Qeveria mund të ndjekë objeksionet e saj vetëm përmes gjykatave, me padi, jo me urdhra arbitrarë. Edi Rama është vetë kryeministër, kryeprokuror, kryepolic dhe kryetar bashkie, ndaj sillet në këtë mënyrë,” deklaroi Berisha.
Ai e mbylli fjalën e tij duke theksuar se “fjala e lirë dhe vota e lirë janë dy të drejtat themelore që janë shkelur”, ndërsa iu referua edhe raportit të fundit të Parlamentit Europian për drejtësinë në Shqipëri, për të mbrojtur veten nga akuzat në procesin gjyqësor ku është i pandehur në çështjen “Partizani”.