Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania thërret ambasadorin kinez pas incidentit me rreze lazer ndaj avionit të saj në Detin e Kuq


Ministria e Jashtme gjermane ka thirrur ambasadorin e Kinës në Berlin pasi një anije luftarake kineze përdori një rreze lazer për të shënjestruar një avion gjerman që po merrte pjesë në një operacion të Bashkimit Evropian për të mbrojtur lundrimin në Detin e Kuq.

“Rrezikimi i personelit gjerman dhe pengimi i operacionit janë plotësisht të papranueshme,” deklaroi ministria në një postim në platformën X.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë sqaroi se avioni i përfshirë në incidentin e ndodhur në fillim të këtij muaji ishte një avion shumë-sensorësh, i njohur si “sy fluturues” për aftësitë e tij të gjera të vëzhgimit mbi det, sipas The Guardian.

Avioni pilotohet nga civilë, por në bord ndodhen edhe pjesëtarë të forcave të armatosura.

Sipas zëdhënësit, avioni po kryente një “fluturim rutinë operativ mbi Detin e Kuq” kur “u shënjestrua me lazer pa asnjë arsye dhe pa asnjë kontakt paraprak nga një anije luftarake kineze që ishte hasur disa herë më parë në të njëjtën zonë detare”.

Ai shtoi se “me përdorimin e lazerit, anija pranoi rrezikun për njerëzit dhe pajisjet”.

Si masë paraprake, fluturimi u ndërpre dhe avioni u kthye i sigurt në bazën e tij në Xhibuti. Nuk pati persona të lënduar dhe zëdhënësi konfirmoi se fluturimet tashmë kanë rifilluar.

Ambasada kineze nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment lidhur me thirrjen e ambasadorit të saj, Deng Hongbo.

Ndërkohë, rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë vazhduar sulmet ndaj Izraelit dhe anijeve në Detin e Kuq, të cilat i konsiderojnë si akte solidariteti me popullin palestinez në Gaza. Dy marinarë humbën jetën gjatë një sulmi të Houthive të martën.

Bashkimi Evropian themeloi misionin Aspides – nga fjala e lashtë greke që do të thotë “mburojë” – në shkurt të vitit 2024 si një operacion mbrojtës për sigurinë detare me qëllim garantimin e lundrimit të sigurt në Detin e Kuq.

Zyrtarët e misionit Aspides nuk komentuan mbi incidentin, duke i referuar pyetjet tek qeveria gjermane.

Mandati parlamentar i ushtrisë gjermane përcakton një maksimum prej 700 personelësh të dislokuar.

Sipas raportimeve të Der Spiegel, incidenti ndodhi pranë brigjeve të Jemenit dhe përfshiu një avion zbulimi gjerman të vendosur në Xhibuti, i cili ishte marrë me qira për operacionin dhe mund të mbajë deri në katër ushtarë në bord.

Sipas të njëjtit burim, incidenti me lazer ndodhi kur avioni iu afrua një fregate kineze.

Duke thyer praktikën e zakonshme, ekuipazhi i anijes kineze nuk kontaktoi në frekuencën e emergjencës.

Nuk është e qartë nëse avioni gjerman pësoi dëme; ai po inspektohet, raportoi Der Spiegel. Incidenti ka bërë që trafiku ajror në rajon të mbetet i kufizuar.

Nuk është hera e parë që ushtria kineze akuzohet për përdorimin e lazerëve kundër forcave perëndimore – një taktikë që mund të verbojnë përkohësisht pilotët dhe të ndikojnë në sistemet elektronike të avionëve.

Në vitin 2018, Pentagoni akuzoi shtetas kinezë për përdorimin e lazerëve ushtarakë ndaj pilotëve amerikanë që operonin nga baza ajrore amerikane në Xhibuti, e përdorur për operacione kundër terrorizmit në Afrikën Lindore dhe Jemen.

Në një rast, dy pilotë të një avioni transportues C-130 pësuan dëmtime të lehta në sy ndërsa po përgatiteshin për ulje.

Uashingtoni dorëzoi një ankesë zyrtare diplomatike, ndërsa Pekini mohoi përfshirjen.

Kina hapi bazën e saj të parë detare jashtë vendit pikërisht në Xhibuti në vitin 2017, shumë pranë bazës amerikane – një hap që shënoi zgjerimin e shpejtë të forcave të saj të armatosura.