
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot një takim zyrtar me Ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës së Izraelit, Eli Cohen, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.
Gjatë takimit, palët u fokusuan në iniciativa konkrete me interes të përbashkët, veçanërisht në krijimin e një klime të favorshme për investimet izraelite në Shqipëri dhe ndërtimin e një ekosistemi ekonomik të qëndrueshëm që mbështet teknologjinë, digjitalizimin dhe sipërmarrjen.
Ministri Gonxhja vlerësoi përvojën e Izraelit në kërkimin dhe zhvillimin shkencor (R&D) si një aset të çmuar për avancimin e kapaciteteve vendase dhe për prodhimin e zgjidhjeve inovative me ndikim real në ekonomi. Ai theksoi gjithashtu nevojën për partneritete strategjike në sektorë prioritarë, si agritechnologjia dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve ujore, ku teknologjia izraelite mund të ofrojë zgjidhje efikase dhe të gjelbra.
Në fund, të dy ministrat nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit akademik dhe shkencor, duke mbështetur shkëmbimet mes universiteteve dhe qendrave kërkimore të dy vendeve, me synimin për të nxitur inovacionin dhe zhvillimin afatgjatë.
Kjo vizitë sinjalizon një fazë të re në marrëdhëniet Shqipëri-Izrael, të ndërtuara mbi bashkëpunim ekonomik, teknologjik dhe arsimor.