Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi thirrje SPAK: Të mos vonohen hetimet për Ceno Klosin, ka prova për trafikim mandatesh



Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të nisë pa vonesë hetimet penale ndaj kandidatit socialist Ceno Klosi, për të cilin sipas tij ka prova për tjetërsim votash dhe trafikim mandatesh në Qarkun e Fierit.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi thekson se rinumërimi i kutive të votimit zbuloi përfitimin e 831 votave në mënyrë të padrejtë nga Klosi, duke shtuar se përveç kësaj janë zbuluar edhe raste të trafikimit të mandateve, të dokumentuara me pamje filmike.

Vjedhja e votave dhe trafikimi i mandateve është bërë hapur, në sy të kamerave. SPAK nuk ka më asnjë justifikim për të vonuar hetimet. Këto nuk janë ‘gabime njerëzore’, por krime të qëllimshme”, shkruan Bardhi.

Ai e krahasoi situatën me disa çështje të tjera të korrupsionit, duke përmendur:

  • 80 milion euro në aferën e dy TEC-eve lundruese në Vlorë,

  • 180 milion euro në blerjen dhe shitjen e energjisë,

  • 50 milion euro në projektin e Tunelit të Llogarasë.

“Nëse vjedhjet në ushtrimin e detyrës mbeten të pandëshkuara, atëherë kalohet lehtësisht tek deformimi i vullnetit të qytetarëve”, përfundon Bardhi.

PD e ka cilësuar këtë rast si një nga shkeljet më flagrante të integritetit të zgjedhjeve dhe ka kërkuar që drejtësia të veprojë pa ndikim politik dhe në mënyrë të barabartë ndaj çdo subjekti të dyshuar për manipulime.