Vendosni fjalën kyçe....

Meloni hap Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës në Romë më 10 korrik



Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, do të hapë zyrtarisht Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës që do të mbahet në Romë më 10 korrik, me një fjalim në sesionin plen ar në orën 10:30. Në këtë hapje do të flasin gjithashtu Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Kancelari gjerman Friedrich Merz, Kryeministri polak Donald Tusk dhe Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska.

Pjesëmarrja e Merz dhe Tusk nënvizon rolin kyç të Gjermanisë dhe Polonisë në procesin e rimëkëmbjes: Gjermania ka organizuar edicionin e kaluar të konferencës, ndërsa Polonia do të jetë nikoqire e saj vitin e ardhshëm. Më pas do të vijojë një seancë plenare me fjalimet e krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse.

Konferenca do të zhvillohet përmes paneleve të nivelit të lartë, të ndara në katër drejtime strategjike: sektori privat, kapitali njerëzor, zhvillimi rajonal dhe lokal, si dhe reformat dhe procesi i integrimit evropian të Ukrainës. Do të organizohen gjithashtu tryeza të rrumbullakëta në kuadër të Forumit të Rimëkëmbjes, ku do të trajtohen sektorë kyç të ekonomisë si infrastruktura, energjia, ndërtimi, agrobiznesi, teknologjia dixhitale dhe shëndetësia.

Një segment i veçantë i konferencës do t’u kushtohet ndërmarrjeve italiane, ukrainase dhe ndërkombëtare, të cilat do të kenë mundësi të prezantojnë projektet e tyre dhe të zhvillojnë takime me autoritetet ukrainase. Aktivitetet do të vijojnë edhe më 11 korrik, me të njëjtin format.

Ngjarja konsiderohet si forumi kryesor ndërkombëtar për rindërtimin e Ukrainës dhe pason edicionet e mëparshme të zhvilluara në Lugano (2022), Londër (2023) dhe Berlin (2024). Ajo synon të vazhdojë mobilizimin global për të mbështetur ringritjen dhe modernizimin e vendit të prekur nga lufta.

Në Konferencë pritet të marrin pjesë mbi 3,500 persona, përfshirë rreth 100 delegacione zyrtare, 40 organizata ndërkombëtare, 2,000 kompani (nga të cilat 500 italiane) si dhe përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile. Po ashtu, më 10 korrik pasdite, do të mbahet një takim virtual i “Koalicionit të të Gatshmëve”, ku Meloni dhe Zelensky do të bashkohen me liderë të tjerë për të diskutuar për më tej përpjekjet për rimëkëmbjen e Ukrainës.