
Një autobus i kompanisë Flixbus ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në autostradën A19 pranë Röbel, në landin Mecklenburg-Pomerania Perëndimore të Gjermanisë. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:40 të mëngjesit të sotëm. Si pasojë, 20 persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa një prej tyre raportohet në gjendje kritike.
Autobusi, me 53 pasagjerë dhe dy shoferë në bord, po udhëtonte në linjën Kopenhagen–Vjenë dhe ishte në drejtim të Berlinit kur ndodhi aksidenti. Sipas raportimeve paraprake, autobusi fillimisht doli nga rruga në të djathtë dhe më pas u përmbys. Shkaku i aksidentit nuk është ende i qartë.
Dy shoferët nuk kanë pësuar lëndime. Pasagjerët që nuk u dëmtuan janë transportuar në qytetin Röbel me një autobus tjetër.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e urgjencës, zjarrfikësit dhe një helikopter shpëtimi. Policia tha se hetimet janë në vijim dhe Zyra e Prokurorit ka angazhuar një ekspert të Dekra-s për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Autostrada A19 drejt Berlinit është ende e mbyllur dhe pritet të qëndrojë e tillë deri në orët e mesditës, shkruajnë mediat e huaja.