Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Në PPE u shokuan për atë që ka ndodhur në Shqipëri


Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka akuzuar ashpër qeverinë në Parlament për abuzim të rëndë me fondet publike gjatë fushatës elektorale, duke e cilësuar procesin zgjedhor si të manipuluar dhe të ndotur nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“500 milionë euro janë shpenzuar në vetëm katër muaj për të blerë vota,” deklaroi Vokshi, duke theksuar se ky abuzim është bërë përmes faljes së gjobave dhe realizimit të projekteve propagandistike.

 Sipas saj, këto veprime përbëjnë një përdorim kriminal të parave publike në funksion të fitores së zgjedhjeve.

Vokshi ngriti gjithashtu shqetësimin për shpenzimet e konsiderueshme në aktivitete luksoze, duke përmendur rastin e spektaklit të Giro d’Italia: “7 milionë euro janë shpenzuar për spektaklin e Giro d’Italia, ndërkohë që qytetarët përballen me vështirësi të mëdha ekonomike,” theksoi ajo.

Deputetja shtoi se situata ka shkaktuar reagime të forta edhe në nivel ndërkombëtar.

“Në Partitë Popullore Europiane (PPE) u shokuan për atë që ka ndodhur në Shqipëri. Janë dhunuar votat me taksat e qytetarëve,” u shpreh ajo.

Vokshi kritikoi qeverinë edhe për moszbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR lidhur me procesin zgjedhor, duke theksuar se “asnjë rekomandim i ODIHR nuk është marrë parasysh, çka tregon se ky regjim nuk ka asnjë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Në përfundim të fjalës së saj, Vokshi theksoi se opozita nuk do të ndalet në denoncimin e këtyre abuzimeve dhe në betejën për të rikthyer integritetin e proceseve zgjedhore në vend: “Blerja e votës me taksat e qytetarëve është krim i rëndë. Ne do ta çojmë këtë çështje deri në fund, për hir të demokracisë dhe të ardhmes së Shqipërisë.”