Vendosni fjalën kyçe....

Policia dhe Tatimet aksion te zyrat e kompanisë ‘Bankers’, në pranga CEO-ja dhe ish-drejtori Leonidha Çobo


Arrestohen drejtuesi dhe ish-drejtuesi i kompanisë “Bankers Petroleum”. Policia e Fierit ka zbarkuar sot në zyrat qëndrore të kompanisë dhe i është dashur të hyjë me forcë, pasi nuk hapnin dyert e kompanisë.

Mësohet se në pranga kanë rënë CEO kinez i Bankers, Hongping Xiao dhe ish-CEO Leonidha Çobo, teksa veprimet hetimore janë ende aktive, sikurse edhe aksioni.

Forca policie, të shoqëruara nga një furgon i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, u panë të hyjnë në mesditë në ambientet e zyrave qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier, e cila operon në sektorin e nxjerrjes së naftës në fushën e Marinzës.

Disa automjete luksoze me targa shqiptare dhe të huaja u panë të parkuara jashtë godinës, ndërsa nuk është bërë ende e ditur zyrtarisht arsyeja e këtij kontrolli.

Burime konfidenciale përmendin si shkak të mundshëm një borxh të konsiderueshëm që “Bankers” i ka shtetit shqiptar, konkretisht në lidhje me detyrime fiskale të papaguara, sipas Shqiptarja.com.

Kompania është përballur dhe më parë me akuza nga autoritetet tatimore dhe doganore për mospërmbushje të detyrimeve ligjore ndaj buxhetit të shtetit.

Në të kaluarën, “Bankers Petroleum” është kritikuar gjithashtu për ndikimin negativ që aktiviteti i saj naftënxjerrës ka sjellë në mjedisin e zonës së Marinzës, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme dhe shqetësim për komunitetin lokal.

Për momentin nuk ka ende një reagim zyrtar nga kompania apo institucionet shtetërore, ndërsa pritet që orët në vijim të hedhin më shumë dritë mbi natyrën dhe qëllimin e këtij aksioni. “Bankers Petroleum” është aktor kryesor në industrinë e naftës në Shqipëri. Prej vitesh ajo administrohet nga sipërmarrës kinezë, të cilët e blenë kompaninë nga investitorët kanadezë që e kishin themeluar atë.